Shendet

A janë më të nevojshme masat kufizuese në Shqipëri? Çfarë thonë autoritetet, ekspertët, ekonomistët dhe bizneset

Situata e Covid-19 në vendin tonë duket më shumë se e relaksuar. Gjatë javëve të fundit ka pasur një rënie drastike të rasteve pozitive dhe edhe të të shtruarve në spital. Në njoftimin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë u raportua se në vend totalisht janë 107 persona aktiv me Covid-19 dhe të shtruar në spitalin Covid1 janë vetëm 3 pacientë.
Duke u nisur nga këto shifra të cilat kanë vijuar me ulje që muajin e kaluar, a është e vlefshme të mbajmë në fuqi masat aktuale të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve?
Në logjikën epidemiologjike shifrat aktuale janë të papërfillshme për të qenë nën tutelën e masave. Gazetasi.al ka tentuar të flasë me autoritetet shëndetësore për këtë çështje, duk i pyetur se “çfarë vlere kanë masat në një kohë ku ka shumë pak raste e pacientë të shtruar” por nuk ka marrë asnjë përgjigje.
Epidemiologu Ilir Alimehemeti tha për Gazetasi.al se absolutisht nuk janë të nevojshme masat që kemi aktualisht.
“Duke qenë që nga 1 qershori u liruan paksa masat dhe duke parë si vijoi gjendja kuptohet që këto lloj masash kanë qenë të panevojshme. Kjo është një faktor se duhen hequr,” shpjegoi eksperti.


Ndërkaq në një intervistë televizive Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj tha se nuk mund të lirohemi. Ai tha se virologët parashikojnë një valë tjetër në vjeshtë.
“Do të jetë edhe “vala e bishtit” të kësaj pandemie, jo e atyre përmasave që kaluan, por janë jetë njerëzish që duhen mbrojtur. Nuk ka marrë fund”, tha Brataj.
Sipas mjekut Komiteti i Ekspertëve liron masat çdo 15 ditë dhe nuk mund të hiqen të gjitha masat kur virusi është ende prezent. Ai tha se edhe dy vjet para pandemisë ndërpritej muzika pas orës 24.00.
Në këndvështrimin e epidemiologut Alimehmeti, kufizimi i orarit nuk ka qenë asnjëherë i vlefshëm në uljen e infeksionit.

Si ndikojnë masat në sektorin e bareve-restoranteve dhe operatorëve turistik?

Shoqata ‘Bar Restaurants & Clubs’ i ka drejtuar të martën një letër Kryeministrisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, që të ushtrojnë aktivitetin normalisht.
Enri Jahaj, përfaqësuesi i shoqatës tha për Gazetasi.al se shprsojnë të kenë një përgjigje pasi efektet ekonomike janë të larta.
Kërkesat e shoqatës nisnin me rishikimin e orarit të muzikës.
“Rishikimin e orarit të mbylljes së aktivitetit tonë pasi kjo mbyllje ekziston për bllokun e qendrën e qytetit dhe për sheshet e koncertet nuk ka as orare dhe as pengesa në grumbullime masive. Së dyti, rishikimin e lëvizjes së lirë si një e drejtë themelore kushtetuese e garantuar me ligj. Së treti kërkojmë disa masa lehtësuese për kategorinë e bizneseve tona. Pasi deri më sot kjo kategori vetëm është penalizuar ndërkohë që jemi ndër taksapaguesit më të rregullt. Uljen e TVSH-së në të njëjtin nivel si sektori i turizmit dhe agro-turizmit e shikojmë si një instrument të domosdoshëm dhe kyç për të nxitur e zhvilluar vijimin e aktivitetit në të njëjtin kapacitet si më parë dhe për zhvillimin ekonomik të vendit,” thuhet më tej në letrën e shoqatës.
Ndërsa Besnik Vathi nga shoqata e operatorëve turistikë tha për Gazetasi.al se në krahasim me vendet e tjera masat në vendin tonë janë të relaksuara dhe të papërfillshme.
Për sa i përket kësaj pjesë epidemiologu Alimehmeti shpjegon se masat për baret-restorantet vlejnë në momentin që ka të dhëna se këto biznese janë vatra infeksionit. Por në këndvështrimin e ekspertit baret dhe restorantet nuk janë vatra infeksioni sidomos kur janë të hapura dhe të ajrosura mirë siç mendohet të jenë në verë.

“Jam e parimit të hapjes sepse nuk duket që kemi një shoqëri me raste. Krahu tjetër është se nëse do të rrimë me masa të çfarëdolloj tipi për sëmundje që shkaktojnë me një incidencë me 3 ose 4 raste për 100.000 banorë në dy javë ti e kupton që kështu sëmundjesh mund të kemi gjithë jetën, të llojeve të ndryshme. Që nëse do të rrimë me konceptin se kemi 5 veta të shtruar në spital, 5 veta do jenë gjithmonë në mos nga një sëmundje nga një sëmundje tjetër infektive, kështu që nuk mund të jemi gjithmonë të mbyllur,” shpjegon më tej Alimehmeti.
Sipas Alimehmetit masat duhet të jenë proporcionale. Ai shpjegon se situata është praktikisht inekzistente dhe nuk duhet diskutuar. Më tej Alimehmeti shkruan se mbështetur dhe tek imuniteti që është krijuar nga imuniteti natyror dhe një pjese tjetër nga vaksinimi, për verën duhet të jemi të qetë dhe diskutimi është vjeshta.
Për sa i përket pjesës ekonomike, eksperti shqiptar i Moody’s Ilir Hysa ka thënë më herët për Gazetasi.al se ekonomia e Shqipërisë do të vuajë gjatë pasojat, edhe pse 2021 sipas tij parashikohet më optimist duke e bazuar argumentin e tij në përhapjen gjerësisht të vaksinës në botë dhe rekuperimin e ekonomisë globale dhe atë të eurozonës.
Hysa tha se ekonomia shqiptare do të kthehet në nivelet parapandemike në gjysmën e dytë të 2022 dhe nëse do të ketë të papritura të tjera gjatë rrugës, rikthimi i prodhimit do të zgjatet në kohë.
Ndërkaq Alimehemeti shpjegon se vetmja gjë që duhet të kemi nën kontroll është turistë që vijnë nga vende që kanë incidenca të larta infektimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë