Shendet

A janë kancerogjene lodrat për fëmijë që vijnë nga Kina?

Shqipëria po përpiqet të ndaloj tregtimin e lodrave për fëmijë që kanë origjinë Kinën.  Inspektorati Shtetëror i Monitorimit të Tregut  thotë se tre muajt e parë të vitit ka pezulluar  10 mijë lodrave pasi në to ka prezencë të  lëndëve kimike të dëmshme dhe nuk plotësohen standardet  europiane të cilat detyrojnë që lodrat të  mbajnë markimin e konformitetit, ose atë të gjurmueshmërisë (logon CE në paketim), të shoqërohen nga dokumentacioni teknik, ku përfshihet edhe përmbajtja e elementeve në përbërje, të shoqërohen nga paralajmërimet dhe udhëzimet në gjuhën shqipe për përdorimin;  të kenë  një numër tipi, grupi apo serie, ose elemente të tjera, që lejojnë identifikimin e tij, si dhe të mbajë emrin prodhuesit ose markën tregtare të regjistruar.

Mjeku toksikolog Alert Drishti I tha gazetës “Si” se kur flitet për lëndë kimike të rrezikshme në lodra  bëhet fjalë për grupin e bifenoleve të tipit A, më të rrezikshmit si substanca kimike që gjenden tek bojërat dhe plastika e lodrave.

Alert Drishti

Në rast se fëmijët bien në kontakt me këto lëndë, rreziku është i padiskutueshëm. Ndonëse nuk shfaqet menjëherë, elementet toksike mund të bëhen shkaktarë të shfaqjes së kancerit disa vite më vonë”

Drishti shpjegon se në Shqipëri, në pavionin e toksikologjisë nuk janë konstatuar kurrë raste të tilla, por kjo nuk zbeh aspak mundësinë që në një moment të caktuar substancat toksike të marra në vogëli të shfaqen pas disa vitesh.

 “Fëmijët e kanë zakon të luajnë me produkte që kanë ngjyra, aty ku përqendrohen edhe elementet e bifenoleve. Në rastet kur këto lodra futen në gojë rreziku është edhe më i madh, edhe pse i padukshëm. Prindërit mund të vënë re vetëm irritimet e lëkurës, çka mund të duket se është një alergji momentale. Më pas mund të shfaqë  probleme me rrugët e frymëmarrjes dhe mukozën e stomakut. Por në këtë rast janë specialistët që mund ta kuptojnë se nga vjen. Theksoj se problematika qëndron te plastika e lodrave dhe bojërat të cilat mund të kthehen në rrezik kancerogjen me kalimin e viteve.”

Autoritetet  shpresojnë që të kufizojnë sa më shumë hyrjen e lodrave të  fëmijëve të pakontrolluara. Por  ngërçi institucional dhe problematika e mbartur prej më shumë se një dekade sa ka filluar të duket edhe më shumë. Ligjërisht kontrollin dhe analizat për produktet e ka në ngarkim Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial. Ai ka edhe fuqinë për të larguar nga shitja produktet kur konstatohet rreziku që ato bartin.

Diçka e tillë sipas Inspektoratit Teknik nuk ka ndodhur dhe kompetencat janë tejkaluar nga Inspektori i Tregut që ligji nuk ia njeh të drejtën të heqë produkte nga tregu. Por nuk mbetet vetëm ky problem, i cili mund të zgjidhet vetëm me lëshimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave.

Burime brenda laboratorit të këtij institucioni shtetëror I konfirmuan gazetës “Si” se  Shqipëria nuk ka pajisjet teknologjike të duhura për të bërë të mundur identifikimin e të gjithë elementeve që kanë në përbërje plastika e lodrave të fëmijëve. Madje këtë vit nuk ka kryer as edhe një analizë të lodrave të fëmijëve (ndonëse Inspektorati i Tregut thotë se janë hequr 10 mijë lodra)

Mostra e fundit e mbërritur në laborator daton përpara 10 viteve dhe për një dekadë nuk ka asnjë inspektim apo analizë nga institucioni shtetëror përgjegjës. Për më tepër burimet konfirmojnë se mungesa e investimeve në këtë institucion nuk e bën të mundur identifikimin e të gjithë elementeve kimike, por vetëm, të plumbit dhe katodiniumit. Ndërkohë që sipas ekspertëve lodrat kanë në përmbajtje edhe element të tjerë (siç janë bifenolet e tipit A).

Për mungesë fondesh dhe vëmendjeje  Inspektorati i dërgon privatisht mostrat e lodrave të fëmijëve për analiza jashtë Shqipërisë (edhe pse nuk është kompetencë e tyre).

Julian Llupo

Julian Llupo, drejtori i mbikëqyrjes së produkteve thotë se: “Shqipëria nuk ka laboratorë specifike për të bërë të mundur kapjen e substancave kimike. Është kjo arsyeja që ne jemi detyruar të marrim disa mostra të lodrave të fëmijëve dhe t’i dërgojmë vetë drejt vendeve evropiane që kanë teknologji më të avancuar. Sigurisht që ka kosto, por e kemi marrë përsipër këtë gjë duke menduar rrezikun që ka.

Edhe pse ka lajmëruar largimin e lodrave me përmbajtje kimike të lartë ky institucion ende nuk ka publikuar analizat e 3 mujorit të parë të vitit kur edhe është larguar nga tregu kjo sasi e konsiderueshme e lodrave për fëmijë, me origjinë Kinën.  Përgjigja e vetme e dhënë për mediet është argumentimi për mungesën e standardeve të konformitetit dhe prezenca e lartë e kimikateve në përbërjen e lodrave me materiale plastike. Importi i lodrave të fëmijëve konsiderohet si një nga më fitimprurësit në vend. Çdo vit rreth 1500 ton lodra hyjnë në Shqipëri me një vlerë prej 950 milion lekësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë