Njerez

A ia vlen të marr leje te e-Albania për të dalë?

Nuk kisha “zbritur” në qytet që prej 13 marsit. Një herë në dy javë kisha ndaluar tek marketi i lagjes. Më së shumti për ushqime që bashkëshorti im harronte t’i blinte. Detyrat i kishim ndarë. Ai do të bënte edhe pazar, sa kohë që mëngjeseve herët nisej me makinë për punë. Virusit nuk i dihet. Sa më pak dalje, aq më mirë… është parimi ynë.

Marr leje një ditë më parë në e-Albania për të zbritur “poshtë”. Jetoj maj një kodre. Kanë filluar shërbimet taksi, ndaj dhe e kam të lehtë ngjitjen.

Vishem me qejf, parfumosem dhe rregulloj flokët. “U bëra njeri”, fola me vete. Zbres bashkë me bashkëshortin në garazh. Duke qenë se kam leje 90 minuta (u tha për dy orë), i drejtohem atij;

“Po vij me ty, sa për të zbritur kodrën… Kështu edhe kursej kohë. Fundja, aq e kam “liridaljen”. Ai (bashkëshorti) qesh. Instiktivisht drejtohem tek sedilja e parë. “Jo”, ia beh ai. “Duhet pas dhe në drejtim diagonal”.

E kisha lexuar si rregull… Në atë moment mu kujtua batuta e një deputeti, (se për humor shihet tani Kuvendi) seancën e fundit: “Po pse o, do rrinë gratë në drejtim diagonal në makinë, a nuk flemë çdo natë me to”. Nënqesha me vete. Megjithatë, hipi pa asnjë lloj sëkëlldie në sediljen e pasme.

Më “hedh” rreth 2 km poshtë. Sa zbres nga makina vë dorezat. “Do shijoj diellin”, i them vetes. “Maskën do ta vendos sapo të futem në dyqan se…helbete kështu ka thënë edhe doktor Pipero…”. Ashtu bëra. Në 200 metra rrugë përplasem me grumbuj njerëzish, të të gjitha moshave. Një rrugë e gjatë trotuari është “shqyer” nga punimet. Të gjithë njerëzit, me maska, pa maska, me doreza e pa, tre, katër bashkë por edhe më shumë, e ndonjë me biçikletë i ka hyrë “në hak” trotuarit tjetër paralel. Ashtu si edhe unë…

Futem tek dyqani i parë. Nuk kishte radhë. Përpara meje një litar i gjatë i lidhur me dy muret anësore të dyqanit. Distanca nga litari tek shitësja ishte një metër. E pyes. “Pagesën mund ta bëni që aty (nga litari)”. Nuk e kuptova atë rregull më thënë të drejtën, sa kohë që shitësja më vinte sërish ngjitur në fytyrë. Kuponi më jepej në të njëjtën mënyrë dhe mbi të gjitha paralel me litarin që isha “ngjeshur” mund të qëndronin edhe tre katër vetë të tjerë, njësoj sikur të ishim ngjitur me banakun. “Nejse”, i thashë vetes. “Virus i ri, rregulla të reja”.

Pa marrë ende kuponin ia beh një i moshuar buzë derës. “Pse nuk më vjen njoftimi që më është rimbushur telefoni“. Shitësja i shpjegon arsyet. Ndërkohë pres… Bëj të dal pak sekonda më vonë. Dera “pushtohet” nga dy vetë paralel. As nuk hyj e as nuk dal dot. Kisha mbetur mes litarit dhe dy njerëzve, që hynin njëkohësisht me vrik, a thua se telefoni atë moment ishte çështje jete…

Ndërrojmë vendet disi dhe më në fund dal. Afër kam farmacinë. Para meje futet një grua shtatzënë. E pres jashtë në radhë. Dielli ka filluar të më përcellojë dhe maska, që nuk e kam hequr (sa kohe do futesha në dyqan tjetër) po më bezdiste. “Duro, – i them vetes, – se mbaroi zonja”.

Më në fund i avitem derës. “Joooo”. Para meje futen me shpejtësi “Ferrari” plot tre zonja. “Minimalisht pyesni a jam në radhë”, thashë me vete. Atyre, as e mora mundimin. Vetëm pas 20  minutash arrij të blej maska. I drejtohem dyqanit të mishit. E njëjta situatë. Shiritat ngjitur pllakave të dyqanit që të orientojnë distancën nuk bëjnë fajde. Me radhë pa radhë, me maska pa maska, të gjithë sot duket se i janë drejtuar nevojës për mish.   

“Shpëtova”, i thashë vetes. Tani do marr taksi dhe do ngjitem për në shtëpi. Ngazëllehem kur shoh plot katër të tilla në një rrugë që para pandemisë, pak i hasja. Hipi tek e para sipas radhës. Shoferi as e merr mundimin të vërë maskën. Nuk i bëj zë. “E do kondicionerin?”, mu drejtua. “Por sikur është e ndaluar”, i përgjigjem. “E moj zonjë po ku pyesin njerëzit këtu, sqaroji sa të duash”. Biem dakord të ndjekim rregullat. Lemë dritaret hapur.

Fryn pak erë dhe pas kurrizit më vjen një shukë me letra. Ishte printimi disa herë i masave që taksitë kishin marrë nga e-Albania. “I keni me detyrim që t’i mbani?”, e pyes taksistin ende pa maskë. “Jo… Na duhen kur na kontrollon ndonjë polic”. S’e kuptova fort mirë, por vazhdova. Bëj pagesën dhe i ngjitem lagjes në këmbë e ngarkuar.

“Të marr ca portokalle, jam që jam te lagja”. Pa u futur mirë, shoh një deng me njerëz tek kasa, ngjitur, pa respektuar asnjë distancë, duke u zënë me njëri-tjetrin. “Më mirë po vazhdoj rrugën drejt shtëpisë…”

Futem brenda. Filloj dezinfektoj çdo gjë nga çelësat, celularin, portofolin, ushqimet, qeset i hedh në kosh. Syzet e diellit i laj e bashkë me to edhe fytyrën. Rrobat i lë në ballkon etj etj… Pastaj ulem para kompjuterit me nxitim dhe, për dreq, kujtohem se kisha harruar edhe një pagesë. Pra, duhet të zbres sërish në qytet. Sërish tek ai kaos. Mungesa e ndërgjegjes qytetare në atë njëorësh më kishte lodhur e hutuar sa gjithë vapa e dita bashkë. Ndaj pyes veten. “A ia vlen që të marr sërish leje tek e-Albania për të dalë?” Se fundja, vetëm ky formalitet na mbeti. Asgjë tjetër nuk ka ndryshuar…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë