Politike

A i hapi Rama krahun drejtësisë edhe brenda PS?!

Duhet të ishte një takim entuziast dhe elektrizues ku socialistët do të duatrokisnin liderin e tyre për fitoren e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, por në fakt ndodhi krejt e kundërta. Vetë kryesocialisti Edi Rama ka qenë i bindur vetë për fitoren e hidhur në këto zgjedhje pa pasur një rival të fortë, pa opozitën reale dhe ku pothuajse më shumë se gjysma e bashkive kandidatët socialistë nuk kishin asnjë kandidat përballë.
Mbledhja e pasdites së sotme e Partisë Socialiste ka nisur me afro 50 minuta vonesë, e për këtë “shkaktari” ka qenë i zoti i shpisë, kryesocialisti Edi Rama. Në këtë Asamble, socialistët do të vendosin për zgjedhjet e brendshme në PS, duke bërë që të shkohet drejt Kongresit të janarit 2020 me zgjedhjen e strukturave të reja dhe të kryesisë së saj.

Rama: Nuk i fituam zgjedhjet, por të punojmë kokë ulur
Kryesocialisti Edi Rama që në fillim të herës u shpreh se zgjedhjet e 30 qershorit, por se elektorati i dha besimin për një drejtë historike që është ajo e vazhdimisë së shtetit kundër atyre që dilnin e protestonin me molotov dhe që donin t’ia bënin gropën Shqipërisë, por që opozita ia bëri vetes.

“Do ta nis nga 30 Qershori si fundi i një akti të rrallës në historinë e politikës së përçarjes. Një akti i frymëzuar dhe i organizuar për të marrë peng Shqipërinë në kuptimin më të plotë të fjalës duke marrë peng zgjedhjet dhe përmes zgjedhjeve reformën në drejtësi. Prandaj edhe ato zgjedhje u kthyen në një kulm përplasjeje që herë pas here në të gjitha vitet Partia Demokratike është shfaqur mes anti shtetit dhe shtetit. Këtë herë me një dimension më shumë, të përpjekjes për të mbrojtur pa ndëshkueshmërinë në raport me një Shqipëri të drejtë. Në 30 Qershor fitoi shteti, qytetaria dhe shteti, humbi rrëmuja dhe balta. 30 Qershori dukej sikur nuk do të vinte kurrë, iku paqësisht, por plaga është ende e hapur dhe më e hapur se asnjëherë, sfida jonë. Sepse që të jemi të qartë, 30 Qershorin e fituan qytetarët edhe për ne. Ndërsa gjithë ajo që vjen pas duhet ta fitojmë ne për qytetarët. Dua të përsëris që Shqipëria u shfaq në brishtëisnë e saj, u kërcënua dhe lëkund dhe nëse nuk u rrëzua erdhi edhe falë qëndrimit të SHBA dhe BE-së në krah të shqiptarëve, në mbrojtje të parimeve më themelore të demokracisë. Në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të drejtës së cdo qytetari për të zgjedhur. Ma ha mendja se asnjëherë kur të flitet për këtë moment kompleks nuk do të harrohet roli i aleatëve për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaft falenderimi”, tha Rama.

Asambleja e PS

Kryesocialisti shtoi më tej se kjo votë e 30 qershorit duhet t’i bëjë ata më të përulur dhe që të qeverisin më mirë në të ardhmen.
“Një numër votash për kandidatët tanë, që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje. Ky është vendi për të përsëritur atë që thash në mbrëmjen e 30 Qershorit, ‘ne nuk është se fituam një betejë zgjedhore të radhës për bashkitë, por Shqipëria, qytetaria fitoi përgjithmonë luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve sepse Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, parti molotovësh, bojkot zgjedhjesh dhe as fronte armiqësore kundër të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur. Ata që guxuan dhe e ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete, por edhe për të gjithë ata që vijnë më pas”, tha ai.
Kërcënimi për kryebashkiakët: Asnjë pushim nga puna nga te djathtët
Kryesocialisti pati një kërcënim të drejtëpërdrejtë për kryebashkiakët e rinj të PS-së, duke i paralajmëruar sidomos fituesit në bashkitë e djathta që të mos sillen si feudalë apo triumfatorë duke bërë largime masive në administratën lokale.
Gjithashtu të njëjtën kërcënim për përjashtim, Rama e përsëriti edhe për ato deputetë dhe përfaqësues të PS-së që nuk i përshtaten sipas tij, kilometrit të punës që duhet të bëhet deri në zgjedhjet e 2021.

Rama dhe ish-kryebashkiaku Sejdini


“Nuk mund të ketë më deputetë që marrin malet për të takuar njerëz, që marrin njerëzit në krah për t’iu zgjidhur një hall dhe që rrinë në kontakt të vazhdueshëm me njerëzit dhe që edhe në fushatën e 30 Qershorit kanë shkuar te njerëzit vetëm javën e fundit. Nuk mund të ketë më anëtarë të asamblesë së PS-së që kujtohen për partinë vetëm nga ftesa për mbledhjen e asamblesë, apo nuk shfaqen te njerëzit dhe kush nuk do i përgjigjet ritmit që kërkon 30 Qershori nuk do të jetë më në projektin tonë politik të vitit 2021. Kush nuk do të bëjë kilometrat e veta do të dalë nga projekti ynë në vitin 2021. Ashtu sikundër dua ta them që sot se do të dalë jashtë nga kjo familje çdo kryebashkiak që do të bëjë gabimin të mendojë se tani që ka marrë mandatin mund të bëjë pa njerëzit dhe pa ne”, tha ai.

Valbona Sako dhe Vangjush Dako duke dale nga Asambleja e PS


Sa i përket administratës, Rama u shpreh fare qartë se nuk do të ketë asnjë largim ndaj atyre punonjësve që sipas tij iu është ushtruar presion për të dalë në shesh për tëprotestuar. Largimet sipas do të realizohen vetëm nëse emërimet janë kryer me miqësira, me kushërinjllëqe apo me pazare. ” Asnjë revansh në administratën lokale të mos tolerohet, e asnjë lloj hyrje triumfiualiste, feudale në kërkim të zbasjes së vendeve të punës dhe mbushjes me ata që vijnë pa asnjë kriter e karar nuk do të lejohet”, u shpreh Rama.

Oferta për opozitën: Paqe, por jo për të ndenjurat e politkanëve

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij nuk ka ngurruar që të drejtojë një apel për bashkëpunim edhe për opozitën jo parlamentare, duke i vendosur edhe kushtet që ai nuk mund të mos pranojë. Ai ka shtrirë dorën opozitës për marrëveshje, por që sipas tij nuk ajo nuk mund të jetë në kurriz të Shqipërisë
“Patjetër që duam paqe politike, por një paqe për Shqipërinë. Dora ime mbetet e shtrirë gati për të shkruar prapë kur të vijë momenti. Ata me molotov, ne u japim edhe veton që të na vënë veton ne. Por Reforma në Drejtësi as nuk negociohet as diskutohet por vetëm mbështetet. Të jetë shumë e qartë që unë personalisht e di që ka shkolla të ndryshme mendimi në lidershipin e PS-së, por nuk kam as disponimin minimal për asnjë lloj marrëveshje politike për të ndjenjurat e politikanëve dhe që mund të rrezikojë drejtësinë të merret me këdo që mund të jetë subjekt i drejtësisë, qoftë djathtas majtas, lart poshtë, këtu brenda apo larg kësaj salle”, deklaroi Rama. Ndërsa sipas tij, asnjë nga PS-ja nuk do të mund të mbrohet nëse është pjesë e hetimit nga drejtësia.

Rama me veshje sportive dhe me atlete ne Asamblene e PS


Ndryshimet në PS, ikën Bushati e Gjylameti dhe sekretariatet


Por pavarësisht se rezultatin e zgjedhjeve e cilëson si bazament për përballjet e ardhshme elektorale, kryesocialisti ka ndërmarrë ndryshime drastike brenda PS-së, duke ndryshuar sekretariatin dhe drejtuesit e qarqeve të veriut të vendit dhe të Tiranës.
“Kurbani” i parë i zgjedhjeve të 30 qershorit ka qenë ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili është drejtuesi i qarkut politik të Shkodrës. Në vend të tij, Rama ka propozuar të emërojë Valdrin Pjetrin, tashmë kryebashkiak i qytetit më të madh verior. Lindita Nikolla është emri i tjetër që nuk do të qëndrojë më në detyrën e drejtueses së qarkut, duke ia dhënë këtë detyrë ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshajt. Ndërsa për zgjedhjet e Tiranës, Blerina Gjylameti do të shkarkohet nga kjo detyrë për t’ju besuar Elisa Spiropalit dhe Ervin Bushatit.

Blerina Gjylameti pas Asamblese se PS

Nga këto ndryshime, që Rama bëri të ditur se i ka konsultuar me sekretarin e Përgjitshëm të PS-së, Taulant Balla, duket se kanë ardhur pas një analize që kanë pasur mbi rezultatin e zgjedhjeve lokale, kjo në mënyrë indirekte shihet edhe si një pakënaqësi për rezultatin e zgjedhjeve në këto tre qarqe.
Ndryshimet kanë prekur edhe sekretariatin, Ilir Beqaj do të jetë Koordinativ i Këshillave Politik të Qarqeve, pasi riorganizimit të ri në tre rajone të PS-së, ku Rama do të ketë pjesën e veriut me katër qarqe, Balla rajonin e Shqipërisë mesme me katër qarqe, si dhe Ruçi rajonin e Shqipërisë së jugut me katër qarqe.
Vendin Spiropalit si sekretare e Rinisë, Rama propozoi ta marrë ministri i Jashtëm, Gent Cakaj, ndërsa Lindita Nikolli do të jetë sekretarja e Burimeve Njerëzore, në vend të ish-zv.kryeministres Senida Mesi. Gjylameti do të jetë sekretarja Digjitale, e cila do të fokusohet te imazhi online i PS-së, për të cilin Rama u shpreh se është i pakënaqur. Pjesa tjetër e sekretariatit mbetet e pa ndryshuar.
Sakaq Rama bëri thirrje për një hapje të madhe të madhe të PS-së me njerëzit dhe për këtë la afate konkrete.
Ndërsa deri në janar kur është parashikuar mbajtja e Kongresit do të realizohen zgjedhjet e strukturve që nga Organizat Socialiste, kryetarët e partive, kryesia e PS-së, sekretariati.
Përkatësisht, faza përgatitore do të jetë në datën 1-14 shtator. Faza e parë ku do të zhvillohet zgjedhjet në Organizatat Socialiste do të zhvillohen në datën 16-10 nëntor. Faza e dytë do të përkojë me zgjedhjen e delegatëve më 16 nëntor 2019, ku për strukturat e partisë brenda vendit do të ketë 1 delegat për 150 anëtarë partie dhe për stukturat në emigracion 1 delegat për 200 anëtarë partie.
Faza e tretë do të zhvillohet 17 nëntor- 7 dhjetor ku do të bëhet zgjedhja e kryetarëve të partisë në Bashki. Në fazën e katër dhe të pestë do të bëhet Konstituimi i Këshillave të Bashkisë dhe më pas Kogresi i PS dhe konstitumi i organeve që zgjidhen prej tij.
Bushati: S’ka rëndësi posti do luftoj pikëpamjet
Ish-ministri i Jashtëm ka reaguar menjëherë pas vendimit të Ramës për heqjes si drejtues politik i qarkut të Shkodrës, ku këtë detyrë do ta mbajë kryebashkiaku Valdrin Pjetri.
“Duke ndjerë nevojën për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, Qarkun do e drejtojë kryetari i ri i Bashkisë së Shkodrës” u shpreh kryeministri Edi Rama.
Vetë ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes se Asamblesee PS-se u shpreh se “Nuk ka rëndësi të jem me post apo pa post. E rëndësishme është për çfarë çështjesh luftoj dhe pikëpamjesh mbroj. Të jeni të bindur se mungesa e ofiqit më bën të jem më i vendosur për të çuar përpara idetë për të ardhmen tonë”.

Bushati duke dale nga mbledhja e PS


Ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla tha se nuk është mërzitur nga largimi si koordinatore e qarkut të Lezhës dhe shtoi se nuk ishin rezultatet e 30 Qershorit shkaku i largimit nga posti. “Lezha është aty, dhe unë jam deputete e Lezhës, nuk ka asnjë lloj mërzitje përveçse përgjegjësive të reja për të punuar më mirë. Nuk keni pasur rezultatet të mira? Nuk ishte kjo arsyeja” tha ajo, ndërsa nuk iu përgjigj pyetjes se cila ishte arsyeja e lëvizjes.

Për gazetarët foli edhe Elisa Spiropali, që mori bashkëdrejtimin e qarkut të Tiranës bashkë me Ervin Bushatin. “Po punojmë po njëlloj me të njëjtin intensitet, rezultate të reja dhe më të mira. Kaq mund të themi” përfundoi ajo.

Ndryshimet në kupolën e PS të prezantuara nga Rama

Drejtues Politikë i Qarkut Shkodër, largohet Ditmir Bushati dhe në vend të tij zgjidhet kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri

Drejtues Politikë i Qarkut Lezhë, largohet Lindita Nikolli dhe në vend të saj zgjidhet ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj

Drejtues Politikë i Qarkut Tiranë, largohet Blerina Gjylameti dhe në vend të saj zgjedhën Elisa Spiropali dhe Ervin Bushati

Sekretar Koordinativ i Këshillave Politik të Qarqeve zgjidhet Ilir Beqaj

Sekretar Digjital, largohet Ilir Beqaj dhe në vend të tij zgjidhet Blerina Gjylameti

Sekretar për Burimet Njerëzore, largohet Senida Mesi dhe në vend të saj zgjidhet Lindita Nikolla

Drejtues i Rinisë Socialiste, largohet Elisa Spiropali dhe në vend të saj zgjidhet Gent Cakaj

 

Më Shumë