Shendet

A është shndërruar Covid në një virus stomaku? Shkencëtarët thonë se është e mundur

Rritja e rasteve të Covid në ujërat e zeza ka bërë që disa shkencëtarë të mendojnë nëse virusi tani po synon zorrët e njerëzve. Covid infekton njerëzit përmes hundës dhe gojës dhe shumohet në traktin respirator, ndonjëherë duke kaluar në mushkëri.

Por disa virologë besojnë se Covid ka ndryshuar ‘rrugët’, duke infektuar më lehtë zorrën.

Shkencëtarët në mbarë botën, përfshirë edhe SHBA-në, po kapin gjurmë të Covid-it në sasi shumë më të larta në ujërat e zeza, ku bakteret e stomakut derdhen në sasi të mëdha në mbetjet fekale të individëve të infektuar.

Marc Johnson, virolog molekular dhe profesor i Mikrobiologjisë dhe Imunologjisë Molekulare thotë se ka aq shumë virus në ujërat e zeza në Europë sa shkencëtarët po mendojnë se cili mund të jetë shpjegimi për këtë.

Në Austri, për shembull, nivelet e Covid në ujërat e zeza janë rritur nga afër zero në korrik të këtij viti në rreth 700 kopje të gjeneve për person, gjë që tregon ngarkesën virale.

Një nga idetë është se varianti i ri JN.1 ka ndryshuar ‘kërkesat’ për të hyrë në qeliza, ndoshta për të kapërcyer imunitetin e vaksinës ose infeksionet e mëparshme.

Profesor Johnson tha se është e mundur që varianti i ri dominues JN.1 i Covid është më i përqendruar te zorrët.

“Por shumë nga koronaviruset shkaktojnë probleme gastrointestinale. Ka të tilla te macet dhe derrat, te lakuriqët e natës. Ato nuk janë infeksione të frymëmarrjes, ato janë infeksione gastrointestinale kështu që nuk dihet ende me saktësi se çfarë po ndodh”, thotë Johnson.

JN.1 është aktualisht varianti me rritjen më të shpejtë.

Tani përbën deri në 29 për qind të rasteve me Covid, një rritje nga më pak se një përqind në fillim të nëntorit.

Varianti është edhe më infektiv dhe më i aftë për të shmangur sistemin imunitar sesa variantet e tjera por nuk ka asnjë provë që shkakton sëmundje më të rëndë se variantet e tjera që qarkullojnë.

Të dhënat më të fundit të CDC tregojnë se pothuajse çdo shtet po raporton nivele të larta të Covid në ujërat e zeza.

Ka pasur gjithashtu një rritje të qëndrueshme të aktivitetit të virusit në ujërat e zeza në gjashtë muajt e fundit.

Mbikëqyrja e ujërave të zeza u nis gjatë pandemisë për të gjurmuar variantet e reja dhe u dha zyrtarëve paralajmërime të hershme për shpërthime.

Studimi i mostrave të ujërave të zeza ishte thelbësor për gjetjen e disa varianteve të Covid-it pasi edhe nëse dikush nuk kishte simptoma, virusi do të ishte ende i pranishëm në ujërat e zeza.

Virologu australian Stuart Turville beson se JN.1 po merr ‘një rrugë të re’ në qeliza dhe po preferon qelizat e zorrëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e shënoi JN.1 si një variant me interes këtë javë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë