Lajme

A është përzgjedhur Tranzit nga Banka e Shqipërisë për të vjelë borxhet e SGA?

Sabina Veizaj - Në vijim të investigimit që Gazeta “Si” po kryen në lidhje me situatën post falimentim të Veneto Banca dhe efektet e saj mbi klientët, ka në zotërim një dokument i cili dëshmon dijeninë e Bankës së Shqipërisë për të gjithë procesin.

Këtë proces Banka e Shqipërisë, jo vetëm që e ka miratuar, por ka kërkuar dhe propozuar një përfaqësues të mundshëm ligjor në Shqipëri të SGA-së, shoqërisë përmbarimore shtetërore italiane të cilës i kaluan për menaxhim kreditë e këqija pas falimentimit të detyrueshëm të Veneto Banka (mëma) (dhe asaj shqiptare) nga qeveria italiane (likuidim administrativ).
Gazeta “Si” disponon Aktin e Njohjes së trasnferimit të bankave italiane të falimentuara të datës 26 qershor 2017 (Veneto Banca SPA dhe Banca Popolare di Vicenza).

Marrëveshja është bërë mes bankave të falimentuara, grupit Intesa San Paolo dhe “Bankave in LCA e ISP, sëbashku , “pjesët” dhe veçmas një “pjesë”- citohet në dokument.

Pasi shpjegohet e gjithë procedura, në faqen e fundit të marrëveshjes që disponojmë, në pikën 7.5 nënvizuar me të kuqe shkruhet se “me referencë të Contratto di Ritransferimento Albania më datë 22 nëntor 2017, Veneto Banka merr përsipër që të bëjë të mundur që rekuperimi i kredive të kqija të Veneto Banka Sh.a të transferuara në VB (edhe pas kalimit të tyre të mundshëm në SGA S.P.A sipas ligjit, ti besohen një shërbimi, siç është kërkuar dhe rekomanduar nga Banka e Shqiëprisë, një subjekti ligjor shqiptar.

Gazeta “Si” më datën 24/5/2019 është interesuar pranë Bankës së Shqipërisë përmes një e-maili për të mësuar nëse ajo është në dijeni të situatës dhe cili është pozicioni i saj në këtë çështje.

Banka e Shqipërisë, na është përgjigjur po me e-mail më datën 29/05/2019 duke shkruar: “Në lidhje me kërkesën tuaj ju bëjmë me dije si më poshtë:
"Banka e Shqipërisë nuk ka asnjë sinjalizim zyrtar nga asnjë institucion kombëtar apo ndërkombëtar."

Gazeta “Si” ka kontaktuar me një zyrë avokatie të cilës ditë më parë i është drejtuar një ish klient i Veneto Bank Sha. Sipas avokatit, klienti i mundshëm i tij nuk dinte ku të përplasej për të paguar këstin e kredisë, e cila nuk ishte kredi e keqe, por sërish rezultonte e transferuar tek SGA.

Ish-klienti i Veneto Banka Sha kishte 3 muaj vonesë pagesë kësti kredie, sipas avokatit, për arsye se nuk dinte ku të derdhte paratë që i detyrohej bankës së falimentuar tashmë.
Kontrata e kredisë shkruan në mënyrë ekplicite “palët mund të ndryshojnë këtë kontratë vetëm me anë të një marrëveshjeje me shkrim të nënshkruar nga vetë ato. Kjo kontratë do të vazhdojë të jetë në fuqi deri sa pala kredimarrëse të plotësojë të gjithë detyrimet ndaj Bankës.”

Por klientët e Veneto Banka, siç thonë ata për Gazetën “Si”, jo vetëm që nuk kanë nënshkruar ndryshim kushtesh kontrate apo transferim kredie dhe hipoteke, por kanë mësuar për ngjarjen, vetëm kur u ka ardhur letër prej Tranzit Shpk në emër të SGA për shlyerjen e këstit të kredisë.

“Banka e Shqipërisë nuk ka bërë transparencë në lidhje me fshirjen e kredive të këqija nga bilanci tregtar i Shqipërisë. Ajo nuk ka ndërhyrë prane Veneto Banka të analizonte çështjen, njoftimin e klientëve për transferimin e kredive jashtë territorit shqiptar. Fakti që ata e kanë vendosur në Deklaratën Noteriale që sipas kushteve, sipas autorizimit të Bankës së Shqipërisë, do të thotë që këta klientë nuk kanë dijeni dhe që BSH paska dijeni dhe ka dhënë miratim.”- shpjegon një ish-klient për Gazetën “Si”.

Gjithashtu, referuar ligjeve në fuqi, nuk lejohet transferimi i kredive të një shoqëri në likujdim administrativ, pra e falimentuar sepse bëhet NUL.

“Si do të menaxhohet portofoli i kredive të këqija të Veneto Banka sh.a në Shqipëri kur bëhet fjalë për një shumë më shume se 50 mln euro? A duhet të ushtrojë kjo shoqëri italiane likuidatore veprimtari pa prezantuar asnjë letër në Shqipëri? A ka një miratim nga Autoriteti i Konkurrencës për këtë transaksion? Shoqëria në Tranzit shpk ka licencë për të menaxhuar një portofol 50 mln euro? A duhet ti ofrojë ajo shërbim outsourcing një shoqërie italiane duke dalë jashtë juridiksionit shqiptar?”- janë pyetjet që ngre një prej klientëve, i cili ende nuk di se ku ka përfunduar hipoteka e pasurisë së tij të paluajtshme që ka lënë si kolateral për kredinë e marrë pranë Veneto Banka Sha.

Ish-klientë të kësaj banke i kanë drejtuar një sërë letrash Bankës së Shqipërisë, por sipas tyre, Banka Qendrore nuk është përgjigjur asnjëherë.

Teksa Banka e Shqipërisë gëzon pozicionin e diskrecionit dhe hesht duke qenë ajo që ka kërkuar dhe rekomanduar një subjekt ligjor shqiptar për ekzekutimin e borxheve të Veneto Banka Sha në menaxhim të SGA palës italiane, deputeti Zanettin ka kërkuar interpelancë me Ministrin Italian të Financave për të kuptuar me ç’kritere teknike reputacionale është përzgjedhur Tranzit Shpk për të përfaqësuar shoqërinë përmbarimore shtetërore italiane. Tranzit shpk e cila ka drejtor ekzekutiv të përbashkët me Abi Bank, Andi Ballta. Tranzit Shpk, është zbuluar nga VicenzaPiu' që është regjistruar në ishujt Cayman, parajsë fiskale.
Rrjeti investigativ italian Vicenza.Piu’ që ka qenë e para që ka nisur investigimin ndaj kësaj çështjeje, po kërkon të zbulojë marrëdhënien e errët dhe të dyshimtë, sipas tij mes Veneto Banka, Intesa San Paolo, SGA dhe Tranzit Shpk.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë