Shendet

A duhet të vaksinohen personat asimptomatikë?

Nga Anxhela Çelanji - Njëjtë si Covid-19 edhe vaksinimi ka filluar me shumë pikëpyetje, madje të mëdha. Ndër to, është pyetja a duhet të vaksinohen personat asimtomatikë, të cilët kanë apo nuk kanë një tampon pozitiv?

Ka studime që tregojnë se nëse ka persona që janë planifikuar për të marrë dozën e tyre të parë ose të dytë dhe kanë rezultuar me Covid-19, duhet të shtyjnë vaksinimin.

Rastet kur personat janë asimptomatike dhe nuk kanë bërë  tampon.

Për sa i përket rasteve që personat janë asimptomatikë dhe nuk kanë tampon për ta vërtetuar, mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti i tha Gazetasi.al se kjo është çështje shumë e vështirë për ta shpjeguar dhe se nuk ka studime për këtë pjesë.

“Dimë që disa njerëz janë konfirmuar pozitive pak ditë pasi kanë bërë vaksinën e parë. Në këto raste  duhet të vijojnë me ecurinë e Covid-19, të trajtojnë virusin. Nuk ka studime në këtë drejtim  dhe mbrapa në kohë nuk kthehesh dot. Dy opsione janë; Ose je testuar, ke dal pozitiv dhe nuk je vaksinuar. Ose nëse je vaksinuar sot dhe  me pas del me Covid-19 nuk kemi si kthehemi  mbrapa në kohë, për të ditur nëse ishe pozitiv kur u vaksinove, pra është e  pamundur si logjik për t’u vërtetuar,” shpjegon Alimehmeti.

Ilir Alimehmeti, Epidemiolog

Më tej eksperti shpjegon se e vetmja mënyrë që do të dinim ishte,  nëse do të kishim një studim ku njerëzit janë pozitiv me Covid-19 dhe marrin vaksinën. Alimehmeti shton  se për arsye të qarta etike nuk është bërë deri sot.

Rastet kur personat janë asimptomatike dhe kanë bërë tampon.

Ndërsa, në rastet kur një person simptomatik është i vërtetuar me tampon, nuk duhet të  marrë vaksinën. Alimehemeti shpjegon se përllogaritet që nga 0-3 muaj kur personi ka kaluar gjendjen e Covid-19, absolutisht nuk duhet të bëhet vaksina dhe është e këshillueshme që të bëhet pas 6 muajsh nga kalimi i infeksionit.

Edhe mjeku në Shërbimin Kombëtar në Angli Laidon Shapo shpjegoi për Gazetasi.al se personat asimptomatikë duhet ta bëjnë vaksinën por duke ditur shifrën e antitrupave. Ai shpjegon se personat duhet të bëjnë tampon para bërjes së vaksinës.

“Nëse infektimi është me PCR + atëherë vlen të bëhet një serologjik për të parë nivelet e antitrupave (IgG), 3 javë pas kalimit të infeksionit. Nëse përgjigja është e mirë atëherë nuk ka nevojë për vaksinë (në princip pasi imuniteti mban për 6-9 muaj me të dhënat që kemi). Nëse përgjigja imunitare është e dobët personi mund të vaksinohet 1 muaj pas kalimit të infeksionit (domethënë pas bërjes së tamponit)”, shpjegon Shapo.

Laidon Shapo, mjek në Shërbimin Kombëtar në Londër

Ndërkaq, ekspertët që kanë krijuar vaksinat më herët kanë thënë se është e mundur të infektoheni me koronavirus pas dozës tuaj të parë sepse duhen dy doza për mbrojtje maksimale kundër sëmundjes, për vaksinat me dy doza.

Ekspertët e huaj janë shprehur se vaksinimi gjatë kohës kur një person është me Covid-19 nuk do të bëjë që të jeni më të sëmurë apo të kaloni më keq sëmundjen, por Thad Stappenbeck, kryetar i Institutit të Kërkimit të Klinikës Cleveland Lerner,ShBA shpjegon se kjo mund ta bëjë vaksinën më pak efektive.

David Margolius, një specialist i mjekësisë së brendshme në qendrën shëndetësore MetroHealth, në SHBA, shpjegon se nuk do të bëjë ndonjë ndryshim nëse e bëni vaksinën kur keni Covid-19.

"Arsyeja që ne u kërkojmë njerëzve të presin derisa të shërohen nga Covid-19 para se të marrin vaksinën është që të gjithë të jenë të sigurt", ka deklaruar Margolius.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë