Analize

A duhet të izolohen vatrat e infeksionit apo qytetarët të lëvizin lirshëm?

Një listë e publikuar nga një sërë mediash tre javë më parë, e cila përmbante emrat dhe adresat e të gjitha rasteve të reja, tregonte se deri në mes të qershorit, zona e Unazës së Re, Yzberishti dhe Tirana e Re ishin ndër më të prekurat nga epidemia e koronavirusit në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka ndarë zyrtarisht asnjë detaj mbi përhapjen e të infektuarve në kryeqytet dhe qytetet e tjera të prekura, edhe pse gazeta "Si" është interesuar vazhdimisht për vatrat e reja në Tiranë.

Megjithatë, ndërkohë që në vendin tonë qytetarët mbahen në errësirë për vatrat e rasteve të reja, qofshin këto një pallat, biznes, lagje apo një zonë e tërë, e gjithë Europa ka dalë me një strategji të re pas daljes nga karantina: izolimin e menjëhershëm të vatrave të reja.

Në Angli janë izoluar qytete të tëra, në Spanjë një sërë destinacionesh bregdetare, ndërsa Gjermania ka izoluar komunitete të tëra, edhe pse pjesa tjetër e vendit vazhdonte hapjen graduale. Epidemilogët europianë kanë përjashtuar deri më tani kthimin e plotë në karantinë, duke këshilluar qeveritë se zgjidhja më e mirë në këtë fazë është karantinimi i zonave më të prekurave për një të paktën një periudhë dy-javore, pavarësisht kostove sociale dhe ekonomike për komunitetin.

Burimet i thonë gazetës "Si" vatrat më kryesorë në Tiranë janë: Kodra e Diellit, Unaza e Re, Yzberishti, Qyteti Studenti, Komuna e Parisit, rruga "Sami Frashëri" si dhe zona e Freskut. Të njëjtat burime i thonë Gazetës se strategjia aktuale e qeverisë është izolimi i të gjithë Tiranës, nëse numri i rasteve të reja në ditë arrin në 200. Megjithatë, duke para strategjinë që po ndjekin vendet europiane si dhe atë të Kosovës e cila ka kthyer orën policore në tre qytetet më të prekura; hapi i parë përpara izolimit të një qyteti të tërë duhet të jetë izolimi ose kufizimi i kontakteve sociale në vatrave kryesore.  

Tirana gjatë orëve të liridaljes në karantinë, foto ilustruese. Gazeta "Si", korrik 2020

Megjithatë, në vendin tonë, qeveria nuk ka pranuar të ndajë detaje mbi këto vatra, duke bërë që qytetarët në Unazën e Re për shembull, ose në Komunën e Parisit të jenë në shumicën e rasteve të pakujdesshëm, duke mos mbajtur maska dhe ruajtuar distancën fizike.

Sipas epidemiologut Erion Dasho, në Itali, Spanjë dhe të gjitha vendet e Europës Perëndimore veprohet me strategji e cila është bazuar mbi zhvillimet epidemiologjike, nevojat që kanë komunitetet për t’u mbrojtur është një strategji shumë-planëshe dhe gjithë-përfshirëse. Por në Shqipëri është e vështirë të thuhet nëse duhet të ndiqet një strategji për izolimin e vatrave, sepse qeveria nuk ka deri më tani asnjë strategji për përballimin e epidemisë.

“Në Shqipëri, veprohet që prej fillimit të epidemisë pa plan, nuk testohet natyrshëm, nuk testohet mjaftueshëm që të njihej situata epidemiologjike dhe për pasojë dhe masat që duhet të merren nuk mund të përcaktohen. Veprimet dhe marrja e masave ka kuptim  aty ku ka një strategji të kontrollit të epidemisë, e cila hartohet dhe zbatohet nga organizma kompetentë. Aty ku në Shqipëri nuk ka një strategji, nuk bëhet fjalë edhe për masa izoluese apo të llojeve të reja”, i thotë ai gazetës "Si".

Ndërsa për epidemiologun Ilir Alimehmeti, Shqipëria është ende larg momentit të izolimit të vatrave. “Vatrat janë nëpër ambiente pune kryesisht dhe jo në komunitete”, i thotë ai gazetës "Si".

Megjithatë mos paralajmërimi i qytetarëve që janë të rrezikuar për shkak të numrit të madh të të infektuarve në një zonë ta caktuar, mund të ketë kontribuar edhe në rritjen e rasteve të reja. Në vend të identifikimit të tyre, dhe monitorimit të bizneseve në këto zona, autoritet po zgjedhin fshehje e tyre.

Erion Dasho

Alexander Kekulé, profesor i virologjisë dhe Drejtor i Institutit për Kërkime të Bioteknike në Gjermani thotë se e vetmja strategji që mund të funksionojë tani për tani është izolimi i menjëhershëm i vatrave të shpërthimeve të reja, duke e frenuar përhapjen në masë të Covid-19.

Kekulé beson se rihapja në shkallë të gjerë dhe më pas mbyllja përsëri është një gabim, dhe rrezikon të shkaktojë dëme psikologjike ose ekonomike në masë.

"Ne kemi nevojë të kujdesi për ekonominë e vendeve tona," thotë ai pët CNN. "Ju nuk mund të planifikoni të riktheni karantinën në çdo kohë. Njerëzit nuk mund ta përballojnë të kthehen përsëri dhe përsëri në izolim.  Prandaj zgjidhja më efektive është gjurmimi dhe izolimi i vatrave të reja”.

"Në vend që të përshpejtojmë drejt izolimit, kemi nevojë për një koncept krejtësisht të ndryshëm ... një lloj reagimi të vazhdueshëm ndaj sëmundjes ose shpërthimit. Kurdo që t'i heqim këto bllokime pa pasur një strategji zëvendësimi do të keni shpërthime të rasteve të reja përsëri, sepse keni vetëm shumë pak njerëz që kanë fituar imunitet. Kjo mund të jetë faza më komplekse dhe më e vështirë e pandemisë”, thotë ai.

Në botë, izolimi dhe shtrirja e vatrave të reja ndryshon në mënyrë dramatike midis vendeve në ndryshme, nga izolimi i një ndërtese të vetme në Itali, në disa fshatra Ruandane, në një komunitet prej 200,000 në verilindje të Spanjës dhe një zonë bregdetare prej 70,000 në veriperëndim të saj.

Ka shpresë se kjo qasje mund të minimizojë dëmin ekonomik që vjen nga karantina në shkallë të gjerë. Në Portugali, për shembull, 19 bashki në periferi të Lisbonës janë në shtetrrethim, ndërsa disa zona e qytetit të kryeqytetit kanë vazhduar rihapjen, së bashku me pjesën tjetër të vendit.

Qyteti i Guetersloh në Gjermani ishte ndër të parët që hyri në izolim në Europë  pasi 1,331 punëtorë në një fabrikë të përpunimit të mishit testuan pozitiv me koronavirus. Gjermania kishte pak raste në krahasim me vendet e tjera, por shpërthimi shkaktoi një rritje të mprehtë të faktorit R, një vlerë që tregon se sa shpejt po përhapet virusi.

“Kjo është ajo që ne bëjmë zakonisht kur kemi grupe të reja të rasteve të reja”, thotë Kekule.

Eksperti gjerman tha se lëvizje të tilla ishin "normaliteti i ri", pas karantinës, por se duhej të kombinoheshin me masa të tjera, të tilla si mbajtja e maskave ​​dhe mbajtja e distancës sociale, si dhe sisteme efikase për të gjurmuar shpërthimet para se numri i rasteve të arrijë në qindra.

Qyteti anglez i Leicester u izolua po ashtu për dy javë duke nisur nga 2 korriku, me mbylljen e bizneseve jo thelbësore, njerëzit qe u këshilluan të minimizojnë kontaktin social, dhe shkollat ​​u mbyllën për shumicën e fëmijëve.

Melburne hyn në izolim, Gazeta "Si", korrik 2020

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson paralajmëroi se shpërthimi i rasteve ë Leicester tregon se virusi qarkullon si një "peshkaqen në ujë", duke paralajmëruar bllokime të mëtejshme në zona të tjera në Mbretërinë e Bashkuar.

Në shtetin australian të Victorias, 6.6 milion njerëz janë izoluar nga pjesa tjetër e vendit për gjashtë javë pasi Melbourne pati një rritje rekord të rasteve ditore.

Të shtunën, 3,000 persona të qendrave të kujdesit për të moshuarit në Melburinë u ndaluan madje edhe të dalin nga ndërtesa. Kufiri i Victoria-s me Uellsin e Ri Jugor do të mbyllet për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë