Covid-19 ndau ekspertët e shëndetit publik, por jo vetëm, që prej fillimit të pandemisë pasi informacioni për këtë virus ishte i pakët. Por 11 muaj të vështirë për të gjithë botën përballemi me një tjetër dilemë, nëse duhet ta bëjnë ose jo vaksinën personat që tashmë e kanë kaluar sëmundjen e Covid-19.
Në një intervistë për Gazetën “Si” mjeku infeksionist Pëllumb Pipero shpjegoi se personat që e kanë kaluar sëmundjen krijojnë imunitet natyral të mjaftueshëm dhe i vlefshëm për një kohë relativisht të gjatë. Por sipas tij edhe në vendin tonë ashtu si në botë do të ndiqen udhëzimet e OBSH.
Ndërkaq nga ana tjetër Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Silva Bino është shprehur publikisht disa herë se vaksina bëhet edhe kur e ke kaluar Covid-19.
“Nuk ka asnjë lloj problemi edhe nëse ke ende në trup antitrupa. Nuk tejngopemi asnjëherë me antitrupa” ka thëne Bino.
Për një informacion më të detajuar, Gazeta “Si” pyeti Institutin e Shëndetit Publik se si do të vijojë ky proces në vendin tonë. Përfaqësues të ISHP u shprehën se institucioni e rekomandon vaksinimin edhe për personat që e kanë kaluar Covid-19.
“Nëse kanë bërë një vlerësim të antitrupave po të duan mund të shtyjnë deri në 3 muaj vaksinimin, por jo më shumë se gjashtë muaj,” shpjegohet nga Instituti.
Përveç se ende nuk kemi të dhëna të sakta për vaksinat, duke hequr këtu pjesën e efikasitetit, fakti si do të përdoren vaksinat në terren, ka bërë që të gjithë ekspertët edhe për këtë proces të kenë mendime të ndryshme.
Gjithashtu edhe imunologu Genc Sulçebe i cili së fundmi ka realizuar një studim për imunitetin e tufës në vend, është shprehur se nëse kemi nevojë të imnizojmë sa më shumë njerëz, duhet të imunizohen në fillim ata që nuk e kanë kaluar virusin. Ai ka thënë se edhe doza e parë është efektive për krijimin e anti-trupave dhe njerëzit janë të mbrojtur.
Ndërkaq, ky nuk është një debat vetëm në vendin tonë, por mbarëbotëror, pasi ekspertët kanë mendime të ndryshme dhe nuk ka një zgjidhje specifike për këtë proces.
Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) lëshoi një autorizim për përdorimi emergjent për vaksinat e para, të zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech dhe Moderna, një praktikë që aplikohet në rast nevoje, por pa dhënën një specifikim se kush dhe kur mund të bëhet vaksina. Nga ana tjetër vetë OBSH nuk ka ende një raport të qartë për vaksinën nëse duhet të bëhet nga personat që e kanë kaluar Covid-19 apo jo.
Çdo ekspert i shëndetit publik, qoftë vendas apo i huaj ende nuk është i sigurt se sa zgjat imuniteti nga vetë infeksioni e më pas nga vaksina. David Hirschwerk, një specialist i sëmundjeve infektive në “Northwell Health” në Nju Jork është shprehur për revistat të ndryshme shëndetësore si Science dhe Healthline, se arsyetohet që një persona që e ka kaluar infeksionin COVID-19 ka të ngjarë të jetë imun për të paktën 3 deri në 4, por sipas tij nuk kemi ende të dhëna të forta për ta mbështetur këtë gjë.
“Janë raportuar raste të riinfektimit me virusin që shkakton COVID-19, kështu që nuk është ende e qartë,” ka shpjeguar ai.
Në një provë klinike të vazhdueshme, Pfizer dhe BioNTech kanë studiuar vaksinën e tyre tek njerëzit me dhe pa një histori të ekspozimit ndaj virusit. Deri më sot të dhënat tregojnë se vaksina është 95 për qind efektive në parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe në parandalimin e riinfektimit tek njerëzit që tashmë janë ekspozuar ndaj virusit.
“Të dhënat nga prova e fazës 2/3 për vaksinën Pfizer-BioNTech tregojnë që vaksina është e sigurt dhe ka të ngjarë të jetë efektive tek personat që kanë qenë të prekur nga Covid-19. Vaksina duhet t’u ofrohet të gjithë personave, pavarësisht nga historia e infeksionit, simptomatik ose asimptomatik,” është shprehur Miriam Smith eksperti i sëmundjeve infektive në Forest Hills në Queens, Nju Jork.
E ndërsa OBSH nuk ka asnje rekomandim dhe ekspertët janë të ndarë, kur të vijë koha për vaksinimin masiv në Shqipëri, ata që e kanë kaluar Covid me sa duket do e kenë vetë në dorë nëse do e bëjnë ose jo vaksinën, e cila nuk është me detyrim në asnjë vend të botës edhe për personat që nuk e kanë kaluar sëmundjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.