Shendet

A duhen përdorur dorezat plastike?

Me mbërritjen e koronavirusit në vendin tonë, të gjithë janë kujdesur për të marrë masa për të parandaluar sa më shumë përhapjen e tij. Nëpër rrugët e kryeqytetit shihet se njerëzit janë pajisur shumë me mjete mbrojtëse si maska për fytyrën apo doreza plastike.

Por sa të efektshme janë dorezat dhe sa i rekomandojnë mjekët?

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, në një informim të shkurtër për Gazetën “Si”, thotë se nuk është e arsyeshme që qytetarët të përdorin doreza.

“Duhet t’i përdorë vetëm personeli i shërbimit, por dhe për ata ka vlerë përdorimi nëse pas çdo kontakti do t’i ndërrojnë .Kësisoj, mendoj se do ishte dhe është shumë më mirë larja e duarve me ujë dhe sapun, sesa fshehja e pisllëkut poshtë apo mbi doreza!!,” thekson mjeku.

Edhe mjekët e Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe shprehen se pajisje si maskat për fytyrën dhe dorezat lateks luajnë një "rol shumë të rëndësishëm" në një mjedis klinik apo spitalor, por ka "pak prova pak se ato mund të jenë të dobishme për publikun e gjerë”. Sugjerimet e tyre janë në një linjë me ato të Organizata Botërore të Shëndetit e cila gjithashtu nuk ka rekomanduar që njerëzit të veshin doreza ose maska për të mbrojtur veten. “Njerëzit e shqetësuar për transmetimin e sëmundjeve infektive duhet t’i japin përparësi higjenës së mirë personale, të frymëmarrjes dhe të duarve. Dorezat japin një sens të rremë të sigurisë dhe larja e duarve është një masë shumë më e mirë paraprake”, thanë për “TheIndipendent” zyrtarët e Shëndetit Publik në Britaninë e Madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë