Ngjarje

A do t’u falet tarifa vjetore studentëve të prekur nga tërmeti?

“Nuk jam kthyer më në Durrës që prej tërmetit. Jam me fat që jetoj në katin e parë dhe dola menjëherë jashtë. Më zgjoi suvaja e dhomës që ra dhe dola i tmerruar. I gjithe pallati tundej. Ishte tmerr”.
Kejdi Zani studion për Hoteleri-Turizëm në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, por po qëndron prej dhjetë ditësh tek gjyshërit e tij në Gramsh. Mbrëmjen e 26 nëntorit, kur ra tërmeti tragjik që do t’u merrte jetën 51 personave, ai edhe shoku i tij, Denisi, lanë gjithçka që kishin në banesë, morën një taksi dhe u rikthyen në shtëpinë e tyre në Gramsh. Pallati ku kishin marrë një dhomë të vogël me qera ndodhej pranë Spitalit të Durrësit dhe është shpallur i pabanueshëm.

Kejdi Zani, Gazeta Si, 2019

Kur filloi mësimi në tetor, paguam tre muaj qera paradhënie”, thotë 19-vjeçari. I pyetur se ku do qëndrojë kur të fillojë mësimi të hënën, ai thotë se disa të afërm në Tiranë i kanë ofruar të rrijë disa ditë me ta, por se më pas do të gjejë një shtëpi tjetër me qera në qytetin bregdetar.
Kejdi është vetëm një nga qindra studentët e prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Disa prej tyre jetonin si ai në shtëpi me qera, pasi Durrësi nuk ka konvikte, të tjerë jetojnë në rrethinat e Durrësit, ku tërmeti ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, ndërkohë që pjesa tjetër jetonin prej vitesh në qytetin bregdetar, ku rreth 8 mijë shtëpi kanë pësuar dëme dhe 20 pallate janë tanimë të pabanueshme. Sikur të mos mjaftonte humbja e shtëpive, disa prej këtyre studentëve, në varësi të degës, duhet të paguajnë në janar, edhe tarifën vjetore të studimeve.
Në këto kushte, disa pedagogë të Universitetit Aleksandër Moisiu kanë ndërmarrë një nismë për shlyerjen e tarifës vjetore, të cilën një pjesë e studentëve duhet ta paguajnë në janar. Helena Halilaj, pedagoge në Universitetin Aleksandër Moisiu, i tha Gazetës Si se i gjithë stafi akademik është angazhuar për t’u ardhur në ndihmë studentëve që kanë humbur shtëpitë, dhe në disa raste, edhe të afërmit nga tragjedia e nëntorit. Ajo u ka bërë fillimisht thirrje për solidaritet miqve të saj në rrjetet sociale, duke u kërkuar të ndihmojnë këta të rinj të shlyejnë pagesën vjetore, tashmë të përgjysmuar pas protestave studentore.

Helena Halilaj, Gazeta Si, 2019

“Në emër të dijes dhe dashurisë kërkoj mbështetjen tuaj për të ndihmuar studentët e prekur nga tërmeti të Universitetit Aleksandër Moisiu në Durrës. Pagesa vjetore tashme e përgjysmuar dhe është 125 mije lek te vjetra”, shkruan Halili në një postim në Facebook, duke theksuar se i gjithë procesi do të jetë transparent dhe se Universiteti do të bëjë publike të gjitha numrat e llogarive të studentëve të dëmtuar. Ky propozim prite t'i shkojë rektoratit të hënën, pasi të bëhet e ditur edhe shifra zyrtare e studentëve të prekur.
Pedagogia i thotë Gazetës Si se sapo të fillojë mësimi studentëve do t’u vihet përpara një formular për t’i pyetur për dëmet e tërmetit dhe se cfarë u nevojitet. Halilaj shpreson që këta studentë mos të jenë të detyruar të shlyejnë edhe tarifën vjetore, por na rrëfen se deri më tani nuk ka ende një numër zyrtar se sa studentë janë prekur nga tragjedia e dhjetë ditëve më parë.

Universiteti Aleksandër Moisiu në Durrës


“Shumica e studentëve që jetonin me qera janë kthyer në shtëpi prandaj tani për tani nuk mund të themi me siguri se sa janë prekur”, i thotë ajo Gazetës. “Por ne do të përpiqemi t’i ndihmojmë”.
Ndërkohë, dekania e Fakultetit të Ekonomikut, Azera Tartaraj, thotë se i gjithë stafi akademik është munduar ta kontaktojnë studentët nga numrat e celularëve apo adresat e emaileve që Universiteti Aleksandër Moisiu ka në databaze-in e tij të të dhënave.


“Përgjatë këtyre ditëve jemi munduar të bëjmë një pasqyrim sa më të gjerë të situatës. Cdo fakultet është munduar të kontaktojë me studentët përkatës nëpërmjet numrave celularë por edhe shoku-shokut, për të mbledhur sa më shumë të dhëna për ata që janë prekur, të cilat më pas ia kemi dorëzuar rektoratit të Universitetit. Nuk kemi ende shifra zyrtare se sa studentë janë dëmtuar, pasi situata do të bëhet më e qartë me fillimin e mësimit”, i thotë Tartaraj Gazetës Si. “Kemi vendosur të rinisim mësimin duke marrë parasysh situatën emergjente ku ndodhemi, duke bërë sa më shumë tolerime, sidomos për studentët që nuk kanë mundësi t’i rikthehen menjëherë në fakultete”, thekson dekania.
Ajo i rrëfen Gazetës se një ndihmesë e jashtëzakonshme për stafin akademik, por edhe për të prekurit nga tërmeti ka qenë edhe studentët që këto ditë kanë punuar si vullnetarë pranë njësive të emergjencës apo bashkisë. E pyetur për mundësime e “faljes” se tarifave vjetore për studentët e prekur nga tërmeti në Durrës, Tartaraj thotë se ky është një vendim që merret nga stafi administrativ i Universitetit.


Në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës studiojnë 20 mijë studentë. Sipas Kejdit, në degën e tij më shumë se gjysma jetojnë në shtëpi me qera në qytetin bregdetar dhe se nuk janë të paktë ata që prekur nga lëkundjet.
“Problemi është se shumë prej nesh nuk kanë të afërm në Durrës dhe nuk dimë ku të shkojmë kur të fillojë mësimi. Ka kaq shumë pallate dhe shtëpi që janë shkatërruar sa është bërë më e vështirë të gjesh shtëpi tjetër me qera”, i thotë 19 vjeçari Gazetës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë