Art dhe Kulture

A do të mbijetonte fotografia humaniste e Willy Ronis në Francën e sotme?

Ndërkohë që në epokën e Ronis, fëmijët ishin protagonistë të jetës urbane, sot ligjet i japin fëmijëve një kontroll të drejtpërdrejtë mbi imazhet e tyre,  një zhvillim që ka kuptim të thellë në botën digjitale, por që ndryshon rrënjësisht praktikën e fotografisë së mëparshme.

Nga Gazeta “SI”- Në mes të shekullit të 20‑të, rrugët e Parisit nuk evidentoheshin vetëm si hapësira  trotuaresh dhe fasadash me arkitekturë mbreslënëse.  Ato ishin hapësira të jetës së përditshme , skena ku njerëzit punonin, qeshnin, luanin  dhe dashuroheshin. Një burim dhe një mjedis i lakmueshëm për artistët por sidomos për fotografët, të cilët themeluan rrymën që u quajt fotografia humaniste.

Fotografia humaniste lind pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore. Në një Francë të shkatërruar, ku rrugët ishin mbushur me kujtime të dhimbshme dhe shoqëria kërkonte shpresë, fotografë si Willy Ronis, Robert Doisneau, Izis dhe Brassaï krijuan një lëvizje që synonte të dokumentonte gjendjen njerëzore, bukurinë e të zakonshmes dhe gëzimin e jetës, jo vuajtjet. Ronis, i lindur në një familje hebreje emigrantësh, u veçua nga të tjerët. Ai fillimisht e nisi karrierën si muzikant, por pas vdekjes së babait mori drejtimin e studios familjare dhe më pas u bë fotograf . Ai punoi për LIFE magazine dhe realizoi reportazhe që dwshmuan për punëtorët dhe klasat popullore me empati dhe respekt.

Përmes syrit të tij dhe këndvështrimit empatik, ai fiksonte momentet që shpesh shkonin pa u vënë re: një fëmijë që vrapon me bagetë nën sqetull, një çift që ndalet në një qoshe, një punëtor duke u kthyer në shtëpi.  Për Ronis, bukuria e së zakonshmes ishte gjithmonë burimi i emocioneve më të mëdha.

Këto imazhe, të cilat i përkasin rrymës së quajtur fotografi humaniste, kishin një përqendrim të qartë: njerëzit si protagonistë të jetës, jo si objekte të inskenuara, por si subjekte të plota të realitetit të tyre njerëzor.

Në atë epokë, fotografia e rrugës ishte një dëshmi e jetës, një çast i kapërthyer në objektiv me destinin për të mbëtur përgjithmonë. E brenda kësaj qasjeje fëmijët ishin shpesh figura qendrore. Duke fiksuar  spontanitetin e lojës dhe lirinë e tyre në hapësira publike, Ronis dhe bashkëkohësit e tij krijuan imazhe që sot quhen klasike të historisë vizuale. Këto foto shkrepeshin pa  pëlqimin formal të personave të fotografuar. Ato ishin rezultat i një bashkëjetesë të fotografit me subjektin në botën e përditshme, një marrëdhënie e ndjeshme dhe e sinqertë.

Por sot, terreni ligjor është ndryshuar thellësisht. Në Bashkimin Evropian, fotografia e një fëmije konsiderohet të dhënë personale sipas GDPR, dhe publikimi i saj kërkon pëlqimin e prindërve ose kujdestarit ligjor. Në Francë, Kodi Civil mbron të drejtën e imazhit të çdo personi, përfshirë fëmijët, dhe gjykatat kanë vendosur që publikimi i imazheve të fëmijëve pa miratim mund të shkelë dinjitetin e tyre.

Një ligj i ri i 19 shkurtit 2024 garanton respektin e së drejtës së imazhit të fëmijëve, duke vendosur obligime të qarta për prindërit dhe institucionet para publikimit të fotografive në internet. Ligji kërkon që prindërit të ruajnë privatësinë dhe të drejtën e fëmijës për kontrollin e përdorimit të imazhit të tij, ndërsa në rastet e mosmarrëveshjeve gjyqësori mund të ndalojë publikimin pa pëlqimin e të dy prindërve. Gjithashtu, në rast se përhapja e fotografive mund të cenojë dinjitetin ose integritetin moral të fëmijës, gjykatat mund të ndërhyjnë dhe të ndryshojnë vendimet e prindërve.

Në Francë ekziston gjithashtu koncepti i “droit à l’image”  e drejta e secilit mbi imazhin e tij  dhe, për fëmijët, kjo e drejtë është bërë pjesë e kodit civil me ligjin e vitit 2024. Kjo nënkupton se publikimi i fotografive të fëmijëve, sidomos në rrjetet sociale, kërkon miratim të qartë dhe bashkëpunim mes prindërve, duke marrë parasysh moshën dhe pjekurinë e fëmijës.

Çfarë do të thotë kjo për artin humanist? Në praktikë kjo do të thotë se një fotograf, sot, nuk mund të kapë një moment të bukur, spontan dhe të gëzueshëm të një fëmije në rrugë e pastaj ta publikojë atë pa marrë parasysh miratimin dhe kontekstin e rregullave ligjore moderne. Ndërkohë që në epokën e Ronis, fëmijët ishin protagonistë të jetës urbane, sot ligjet i japin fëmijëve një kontroll të drejtpërdrejtë mbi imazhet e tyre,  një zhvillim që ka kuptim të thellë në botën digjitale, por që ndryshon rrënjësisht praktikën e fotografisë së mëparshme.

Kjo nuk do të thotë se fotografia e rrugës është e ndaluar,  në disa raste, fotografia mund të merret si art ose dokument, sidomos për përdorim privat  por publikimi dhe shpërndarja e imazheve të fëmijëve në mënyrë që të jenë të identifikueshëm sot kërkon një kujdes dhe një sërë lejesh që dikur nuk ekzistonin.

Në një kohë kur një fëmijë shfaqet dhjetëra herë në internet para se të mbushë 13 vjeç, rreziqet e këtyre imazheve kanë bërë që ligjvënësit të vendosin rregulla të reja për mbrojtjen e identitetit dhe dinjitetit të tij.

Ky kontrast me epokën e Ronis nuk është vetëm ligjor por edhe filozofik. Fotografia humaniste synonte të përçonte një mesazh universal mbi njerëzimin, ku çaste të vogla të jetës merrnin një vlerë të përjetshme.  Sot, kërkesat ligjore për privatësinë e fëmijëve i japin një prioritet të merituar mbrojtjes së të miturve, por njëkohësisht ngushtojnë hapësirën ku arti dhe dokumentimi spontan mund të lulëzojnë.

Në këtë “përballje” mes mbrojtjes individuale dhe lirisë artistike, lind pyetja: a mund të ruhen vlerat humaniste të fotografisë pa cenuar privatësinë dhe dinjitetin e fëmijëve? Është një sfidë e kohës sonë, një dialog i vazhdueshëm mes artit, ligjit dhe moralit dhe një pjesë e rëndësishme e reflektimit tonë mbi atë se çfarë do të thotë të fiksosh jetën përmes një lenteje në shekullin 21.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë