Mendim

A do të konsiderohet kjo pandemi si “forcë madhore”?

Nga Denisa Daka* - "COV-19" është sot kryefjala e diskutimeve dhe vendimeve në nivel global tashmë! Sakaq gjendjes së "fatkeqësisë natyrore" këtu i është bashkëngjitur një strategji nga ana e Kryeministrit, e pastrukturuar dhe i pastudiuar në formën e duhur, e cila po krijon një impakt jo të mirë tek biznesi posaçërisht!

Është detyrim i qeverisë në fakt që të balancojë në çdo rast përparësitë me mundësitë, duke ruajtur ekuilibrat, në kuadër të marrjes së masave për mënjanimin e pasojave të pritshme të kësaj pandemie.

Kryeministr ka sqaruar së fundmi se biznesi i madh do të mund të mbështetet me një fond garancie, apo përmes kreditimit, në mënyrë që të bëhet e mundur nga ana e këtyre të fundit kryerja e pagesave në favor të punëmarrësve.

“…mos shkurtoni buxhetin, por shkurtoni luksin", ka qenë orientimi për këtë kategori.

Riskun, apo impaktin që do të kish tek bizneset një marrëdhënie kreditimi në këto kushte specifike, po ua lë ekonomistëve ta shpjegojnë. Ndërkaq, në konteksin e një marrëdhënieje kontraktuale të posaçme, do të ish me rëndësi nëse kjo pandemi do të konsiderohej "forcë madhore", siç ligji e parashikon.

Në kontratat tip të lidhura mes palëve, këtë term të specifikuar në këtë mënyrë, pothuaj nuk e gjen rëndom, ndërkohë që ligji përcakton qartazi, se çfarë konsiderohet "forcë madhore".

Në terma teknikë, "forcë madhore", apo "vis major", përbën një element bazë, i cili do të çlironte paskësaj palët nga përgjegjësia në të gjitha rastet kur do të mund të provohej se një ngjarje, apo dukuri e caktuar, e cila nuk mund të parashikohej, të mënjanohej apo evitohej, kish sjellë pasoja në mospërmbushjen e detyrimeve.

Iu bie barra palëve më pas të provojnë se nuk kanë qenë përgjegjëse për rrethanat e rënda, a të pakapërcyeshme, të cilat nuk ekzistonin në nisjen e marrëdhënies mes tyre.
Nëse kjo pandemi do të konsiderohet "forcë madhore", sipas ligjit ka vend për t'u diskutuar, por është fakt tashmë që një ngjarje e tillë e papritur, kurrsesi nuk mund të parashikohej! Në kuadër të këtij parimi, ligji çliron palët nga përgjegjësia për përfundimin e marrëdhënies së punës.

Një rëndësi të veçantë do të ketë paskësaj qasja që palet do të kenë karshi njëra-tjetrës, ndërkohë që mijëra biznese rrezikojnë të jenë “insolvabel” për shkak të situatës dhe e gjitha kjo ka ngjallur dilema e dhjetëra pikëpyetje në raportet mes tyre.

Bizneset e mëdha posaçërisht do të nisin më shumë gjasë të vleresojnë, se është koha për të ndërprerë, riorganizuar, apo mbyllur kompanitë e tyre, duke koordinuar në të njëjtën kohë të gjitha aspektet në lidhje me rrisqet, apo detyrimet financiare karshi punëmarrësve, apo të tretëve përgjatë menaxhimit të krejt situatës faktike.

Punëdhënësve e punëmarrësve, sakaq do t'u duhet të vleresojnë me transparencë, përgjegjësi e seriozitet marrëdhënien mes tyre, duke parë mundësinë e rishikimit, apo mbylljes së kontratës në çdo rast që rrethanat do të diktojnë.

Për të shmangur humbjet respektive, palët do të kenë detyrimin parësor të dakortësojnë mes tyre duke vlerësuar në kontektësin e përgjithshëm dhe rrethanat, apo gjendjen sociale a financiare të secilit që mund të preket nga një procedurë e caktuar.

Ligji përcakton në mënyrë taksative që pala që kërkon të zgjidhë, apo të ndryshojë një marrëdhënie të caktuar, duhet doemos të respektojë disa kushte.

Respektimi i afatit të njoftimit posaçërisht, (pas kohës së marrjes në provë) si dhe shpërblimi për vjetërsi në punë, janë detyrime parësore për t'u përmbushur nga ana e punëdhënësit në çdo rast.

Do të konsiderohej e pavlefshme zgjidhja e kontratës së punës gjatë periudhës që punëmarrësi përfiton të ardhura nga sigurimet shoqërore, në rast lindjeje, birësimi, apo paaftësie të përkohshme për një periudhë deri në 1 vit.

Është me rëndësi për t'u përmendur gjithashtu, që klauzola lidhur me përfundimin e një marrëdhënie kontraktuale, duhet të përdoret veç në raste ekstreme, apo kur pamundësia do të konsiderohet evidente lidhur me përmbushjen e detyrimeve përkatëse.

Është e udhës që qytetarët të informohen përgjatë kësaj kohe, në formën e duhur posaçërisht, për detyrimet e të drejtat, apo me pasojat ligjore që mund të përballen paskësaj.

Huatë ekzistuese, detyrimet karshi të tretëve, humbja e konsiderueshme e likuiditetit, ulja drastike e kërkesë-ofertës, e jo vetëm, pritet që të lënë pasoja të rënda në ekonominë e vendit, duke futur në vështirësi ekstreme mijëra familje në këtë vend, çdonjërin prej nesh gjithashtu.

*Denisa Daka ushtron profesionin e avokates. Shkrimi është marrë nga profili në Facebook i autores


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë