Shendet

A do të ketë një mundësi tjetër veç tamponit që shqiptarët të lëvizin jashtë vendit?

Gjatë këtij sezoni turistik, një pjesë e shqiptarëve edhe pse kanë pasaportë vaksinimi do të duhen të bëjnë përsëri tampon. Në një kohë që mendohej se një nga përparësitë më të mëdha do të ishte “pasaporta e vaksinimit” e cila merret lehtësisht në E-albania pa asnjë kosto, qytetarët që kanë bërë vaksinën kineze apo ruse do të duhet të presin miratimin e FDA dhe EMA, për të lëvizur ose të ndjekin rrugën e vjetër duke bërë një tampon që kushton 8 mijë lekë. Kështu rrjedhimisht, qytetarët edhe pse mund të jenë të imunizuar me të dyja dozat, mund të mos udhëtojnë lirisht.

Eksperti shqiptar i politikave shëndetësore, Hysein Reka

Eksperti shqiptar i politikave shëndetësore, Hysein Reka i shpjegoi Gazetasi.al se ashtu si vendet e tjera, edhe Shqipëria po paguan “koston” e nacionalizmit të vaksinave. Duke marrë shembull shtete të ndryshme, eksperti Reka i cili ka studiuar në Kolegjin Imperial në Londër shpjegon se përveç kryerjes së tamponit, vendi ynë duhet të kishte ndërlidhur marrëveshje me vendet e tjera për lëvizjen e qytetarëve të vaksinuar. Ai shpjegon se diplomacia shëndetësore duhet të jetë gjithmonë në zhvillim. Rrezikshmëria e Covid-19 shtohet edhe më shumë kur udhëton dhe eksperti e thekson pjesën se “pavarësisht masave, qytetarët duhet të mos udhëtojnë në kohë pandemie, vetëm nëse nuk kanë arsye të madhe”.
Reka shpjegon gjithashtu se për sa u përket udhëtimeve, ato duhet të lirohen kur të jetë arritur një mbulim i konsiderueshëm me vaksina, pra imunizim i popullatës.
“Deri atëherë besoj Sputnik V dhe Synovac do të pranohen”, shtoi Reka.
Duke shpjeguar me tej për procesin e vaksinimit, Reka thotë se do të ishte mirë që Shqiperia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut të kishin bashkëpunuar dhe të kishin kryer porositë e vaksinave më herët.

Pasaporta e vaksinimit për shqiptarët

Gazetasi.al ka kërkuar disa herë informacion se ku dhe si do të mund të përdoret pasaporta e vaksinimit, por autoritetet shëndetësore nuk kanë dhënë një përgjigje. Në një deklaratë për mediat, zëvendësministrja e katërt e Shëndetësisë, Eugena Tomini tha se nëse vendet europiane nuk njohin vaksinat kineze dhe ruse, shqiptarët do të udhëtojnë me tampon.
“Përveç aplikimit me pasaportën e vaksinimit, është edhe tamponi 48-72 orë para se të udhëtosh. Kështu që popullata shqiptare absolutisht nga kryerja e njërës apo tjetrës vaksinë, nuk do të privohet dhe nuk mund të privohet nëse kemi disa alternativa”, deklaroi zëvendësministrja. Ajo shtoi se edhe personat që kanë bërë të dyja dozat e vaksinës, që rrjedhimisht do të duhet të quheshin "të imunizuar", duhet të bëjnë tamponin 48-72 orë para se të udhëtojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë