Kosova

A do të ketë ‘kompromis’ mes Kurtit dhe Vuçiç në takimin e së enjtes?

Nga Gazeta ‘Si’-Në një intervistë për DW, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për takimin e nesërm (14 shtator) që do të zhvillojë në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç.

I pyetur nëse do të ketë një kompromis në Bruksel për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe zgjidhjen e krizës në veri, Kurti thotë se tashmë ai ka bërë hapa disa hapa konkretë.

“Artin e kompromisit tek ne e ka bërë Marti Ahtisari që praktikisht me propozimin e tij është vënë themeli i Kushtetutës së Kosovës. Në anën tjetër e kemi Serbinë e cila e ka Kushtetutën e Koshtunicës nga periudha kur ai ishte President. Të kërkosh nga Kosova që ta kompensojë Serbinë për humbjen e territorit në kohën e regjimit gjenocidal dhe fashist të Sllobodan Millosheviçit, është padrejtësi e madhe.

Unë jam kryeministër i të gjithë serbëve në Kosovë, sikurse i shqiptarëve, romëve, ashkalinjëve egjiptasve, turqve, boshnjakëve dhe goranëve. 93 % janë shqiptar ndërsa, serb janë 4%. Unë jam kryeministër i të gjithëve i dëgjoj të drejtat që i kërkojnë, nevojat që i kanë, mirëpo nuk mund të pranojë kërkesa të etnonacionalizmit territorial. Unë ju kam thënë edhe Presidentit Vuçiç, edhe ndërmjetësve evropianë që unë nuk pranojë kërkesa jo territoriale, kërkesa për të drejtat e qytetarëve e jo për struktura të reja të cilat dëshirojnë të kenë fuqi ekzekutive dhe një president si lloji i Dodikut në Kosovë”, deklaroi Kurti.

Për Asociacionin Kurti tha se ka qenë Vuçiç ai i cili nuk ka nënshkruar në Ohër.

"Unë kam ofruar në Ohër ta shkruaj draft-statutin për nenin shtatë që është vetmenaxhimi i komunitetit serb në lidhje me nenin dhjetë dhe marrëveshjet e mëhershme me tri shtylla: Kushtetutshmëria dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, letra e zonjës Federika Mogherini, e cila thotë se nuk mund të ketë nivel të tretë të pushtetit me fuqi ekzekutive, dhe qëndrimi i Derek Schollet dhe Gabriel Escobar nga State-Departamenti amerikan për koordinim të këtyre komunave, mirëpo, presidenti i Serbisë e ka refuzuar një gjë të tillë", deklaroi Kurti.

Lidhur me hapat konkretë, ai shtoi se së pari ka zvogëluar praninë e policisë në ndërtesat komunale në veri me 50% dhe gjithashtu ka bërë edhe hapin e rëndësishëm të udhëzimit administrativ i cili krijon mundësi për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

I pyetur për dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë, Kurti tha se ato që gabojnë, paguajnë, duke iu referuar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që bojkotoi zgjedhjet.

“Katër muaj i kemi shtyrë zgjedhjet në veri, pesë ditë e kemi shtyrë afatin për regjistrimin e partive politike që të marr pjesë lista serbe në zgjedhje.

I  braktisën institucionet, i bojkotuan zgjedhjet me qëllim të keq, bën gabim, nuk do të duhej ne të paguajmë. Ata që gabojnë paguajnë, jo ata të cilët e kanë sundimin e ligjit, demokracinë vlerë fundamentale. Kosova sa i përket luftimit të korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe lirive civile, organizimit të zgjedhjeve, mbledhjes së taksave sipas FMN-së, dhe sa i përket lirisë së medieve është kampione në Ballkan. Pse, do të duhej ne të ndëshkoheshim për dashakeqësinë e listës Srpska e cila mbase edhe është penduar?”, deklaroi Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë