Editorial

A do të hetohen të gjithë liderët e Ballkanit si Gruevksi?

Bordi Editorial-Arratisja e Nikolla Gruevksit drejt Hungarisë zgjoi për shumë analistë kujtimet e largimit të ish-liderit kroat Ivo Sanader, ndërsa për pjesën tjetër të liderëve të Ballkanit zgjoi ankthin se një ditë të gjitha “mëkatet politike” që mbajnë mbi supe do t’i fundosin njëherë e përgjithmonë. Edhe pse u deshën vite të tëra arrogance, korrupsioni dhe vjedhjeje, fundi i Ivo Sanader erdhi brenda 48 orësh, ndërsa ai i ish-kryeministrit maqedonas duket se është më afër se kurrë. Por a do t’i hapin rrugën zhvillimet e fundit në Maqedoni hetimeve ndaj lidërëve të tjerë të korruptuar në rajon dhe a do të “shpëtojë” Ballkani nga “diktatorët modern” që e kanë zhytur rajonin në varfëri dhe prapambetje?

Gruevksi duket se mori shembullin e ish-liderit kroat, duke u arratisur nga vendi, pa menduar se mund të ketë fatin e tij. Sanaderi detyrua të largohej nga pushteti në korrik të vitit 2009, i braktisur nga të gjithë ish-aleatët dhe i përndkjekur nga të gjitha mëkatet politike.

Për shumë vite la përshtypjen se e dinte saktësisht se çfarë po bënte. Ai mori kontrollin e partisë Demokratike në Kroaci duke joshur popullin me premtime të mëdha politike. Më pas Sanader vuri një maskë pro-evropiane duke u shfaqur si një lider miqësor dhe i civilizuar. Ish-kryeministri filloi të korruptonte zyrtarë të majtë e të djathtë, disa me para, disa me favore, duke përfshirë pothuajse të gjitha figurat e rëndësishme të politikës kroate në rrjetit të tij të korrupsionit. Gjatë gjashtë viteve në pushtet, Sanaderi u ndje i sigurt, aq sa në momentin kur u detyrua të japë dorëheqjen si kryeministër në verën e vitit 2009, vendosi në postin e kryeministres ndihmësen e tij Jadranka Kosor, një person që për të cilin ishte i sigurt se do të ishte absolutisht besnike ndaj tij. Në fund të fundit, ishte ai që i kishte mundësuar të futej në botën e politikës. Por në rastin e parë që iu dha mundësia, Kosor hapi rrugën për arrestimin e tij.

Ivo Sanader

Vetëm dy ditë pasi u zhduk kur iu hoq imuniteti, Ivo Sanader u arrestua në Austri. Edhe pse duket i paprekshëm, brenda 48 orëve autoritetet e Kroacisë kanë arritur t’i heqin imunitetin , të organizojnë një kërkim ndërkombëtar dhe ta arrestojnë për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Sanader akuzohet për afera korruptive që arrinin deri në 20.8 miliardë euro dhe ishte i përfshirë 6 skandale të mëdha korrupsioni. Ai dhe partia e tij kishin hapur 80 llogari sekrete në bankat austriake, vlera e të cilave arrinte në mbi 500 milionë dollarë. Vetëm orat luksoze të ish-lidetet kroat arrin vlerën 200 milionë dollarë.

Por Ivo Sanader ishte një njeri inteligjent. Atëherë, cili ishte gabimi i tij kryesor? Ndërkohë që bëhej gjithnjë edhe më i fuqishëm, ai rifilloi ta merrte pushtetin për të mirëqenë dhe rrjedhimisht, u bë arrogant. Dhe është pikërisht ky tipar ai që ka çuar dhe do të çojë drejt fundit të gjithë liderët e Ballkanit dhe ishte pikërisht arroganca ajo që mori në “qafë” edhe Gruevskin. Arroganca enuk e la të merrte seriozisht hetimet e nisura muaj më parë për shkak të përgjimeve dhe as të bashkëpunonte me autoritetet maqedonase, duke mos i lënë zgjidhje tjetër vecse të merrte arratinë.

Nikolla Gruevki

Ai udhëhoqi Maqedoninë për një dekadë, duke e zhytur popullin në varfëri dhe qeverinë në korrupsion. Gruevski është duke u hetuar “shpërdorimi detyre” dhe për mashtrim gjatë zgjedhjeve në vitin 2013. Ai akuzohet po ashtu për pjesëmarrje në organizatë kriminale, shpërdorimin e aseteve gjatë një fushate zgjedhore dhe korrupsion të shfrenuar. Për më tepër, ish-kryeministri akuzohet edhe se ka urdhëruar një sulm ndaj një kryebashkiaku të opozitës dhe selisë së tij në vitin 2013. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo ai po hetohet për dyshimet se ka financuar ilegalisht partinë e tij. Duke mbledhur dënimet maksimale me burg për të gjitha çështjet së bashku, teorikisht, Gruevski mund të përballet me 27 vjet burg. Nuk dihet nëse do të përballet me drejtësinë, por nëse ndodh Gruevksin e pret një hetim i gjatë.

Edhe pse ndodhet në arrati në Hungari, hetimi dhe dënimi i Gruevksit ka është ndjekur me ankth nga të gjithë liderët e Ballkanit, të cilët akuzohen po ashtu për një sërë aferash korruptive nga mediat dhe opozita vendase. Në të vërtetë, krerët e korruptuar në të gjithë rajonin e Ballkanit e kanë bërë zakon të sfidojnë drejtësinë dhe të vënë maskën e arrogancës sapo ngjiten në pushtet. Por fatkeqësisht, deri më më tani, ata nuk kanë pasur fatin e Sanaderit dhe Gruevskit.

Në Malin e Zi, për shembull, Perëndimi ka përqafuar një udhëheqës të korruptuar i cili ka kapur pothuajse të gjitha institucionet e vendit. Milo Dukanoviç, i cili kohët e fundit dha dorëheqjen si kryeministër pas më shumë se 20 vjetësh në pushtet, ka përfituar personalisht duke lejuar rrjetet kriminale të fuqizohen ndjeshëm brenda dje jashtë kufijve kombëtarë. Si rezultat i skandaleve korruptive dhe parajsave të krimit të organizuar në Malin të Zi, Dukanoviç u shpall "Person i Vitit” nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Milo Dukanoviç

E njëjta situatë duket se paraqitet edhe në Shqipëri, ku qytete si Shkodra, Kruja dhe Elbasani janë kthyer në parajsa kriminale dhe përfliten vazhdimisht për lidhje me qeverinë dhe opozitës. Por si çdo vend të Ballkanit, edhe në Shqipëri asnjë palë politike nuk mban përgjegjësi. Deputetët dhe ministrat e tre partive të më të mëdha në vend janë akuzuar për përfshirjen në afera të mëdha korruptive dhe dy ministrat e fundit të brendshëm janë akuzuar për hetime me trafikun e drogës. Por pavarësisht disa hetimeve asnjë nga zyrtarët e lartë shqiptarë të përfshirë në afera korruptive dhe organizata kriminale nuk ka përfunduar pas hekurave.

Perëndimi ka bërë një sy qorr ndaj këtyre shkeljeve, pasi e sheh Ballkanin si bastion destabiliteti. Për fat të keq, Mali i Zi, Maqedonia dhe Shqipëria nuk janë të vetmet vende të korruptuara në Ballkan, pasi situata është po aq shqetësuese edhe në Kosovë, Bosnje, Bullgari, Kroaci dhe Serbi.

Perëndimi ka përqafuar Kosovën, duke injoruar në masë të madhe korrupsionin e përhapur që po pengon zhvillimin e vendit dhe po zemëron dita-ditës shqiptarët atje. Edhe pse BE-ja ka vendosur një mision policor dhe civil në Kosovë për të ndjekur penalisht korrupsionin, ajo ka dështuar kryesisht të bëjë punën e saj. EULEX-i ka hedhur poshtë akuzat e krimit të organizuar kundër figurave të larta politike dhe pothuajse të gjitha dëshmitë kundër tyre janë injoruar. Me sa duket, përqafimi i Perëndimit për qeverinë e korruptuar të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Serbisë, Bosnjës apo Bullgarisë ka bërë më shumë dëm sesa dobi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë