Shendet

A do të gjendet ndonjëherë “pacienti zero” i Covid-19?

Ndërsa rastet e koronavirusit vazhdojnë të rriten në mbarë botën, ende vazhdon beteja për identifikimin e pacientit zero. Por, a mund të veçosh një person si shkaktarin e mundshëm të një shpërthimi që ka dëmtuar mijëra njerëz?
Autoritetet kineze dhe ekspertët e shëndetit, kanë një mosmarrëveshje në lidhje me origjinën e shpërthimit të vazhdueshëm të koronavirusit. Përparimet në analizën gjenetike tani bëjnë të mundur gjurmimin e linjës së virusit përmes atyre që ai ka infektuar. Kombinuar me studime epidemiologjike, shkencëtarët mund të përcaktojnë individë që mund të kenë qenë njerëzit e parë që filluan përhapjen e sëmundjes.
Identifikimi se kush janë këta njerëz mund të ndihmojë në adresimin e pyetjeve thelbësore, se si, kur dhe pse filloi. Këto më pas mund të ndihmojnë për të parandaluar më shumë njerëz që të infektohen tani ose në shpërthimet e ardhshme.

A e dimë kush është "pacienti zero" në shpërthimin e koronavirusit të ri që filloi në Kinë?
Përgjigja shumë shkurt është jo! Autoritetet kineze fillimisht njoftuan se rasti i parë ishte me 31 dhjetor dhe shumë nga rastet e para, të infeksionit të ngjashëm me pneumoninë ishin nga tregu i kafshëve në Wuhan. Por një studim nga disa studiues kinez i cili u botua në revistën mjekësore "Lancet", tregon se personi i parë që u diagnostikua me koronavirusin e ri, ishte në 1 dhjetor të 2019 dhe personi nuk kishte asnjë kontakt me kafshët e tregut famëkeq. Hipoteza se shpërthimi filloi nga tregu i kafshëve të gjalla ende konsiderohet si një mundësi nga Organizata Botërore e Shëndetit.
Pra, a mundet që me të vërtetë një person të shkaktojë një shpërthim masiv?
Përhapja e Ebolës nga viti 2014 deri në vitin 2016 në Afrikën Perëndimore vrau mbi 11.000 njerëz dhe infektoi mbi 28.000 të tjerë sipas Organizatës Botërore të Shëndetit. Përhapja zgjati më shumë se dy vjet dhe u përhap në 10 vende, kryesisht në Afrikë, por pati edhe raste të raportuara në SHBA, Spanjë, Mbretëri të Bashkuar dhe Itali. Shkencëtarët arritën në përfundimin se shpërthimi filloi nga një djalë dyvjeçar, i cili ishte infektuar teksa luante në pemë duke u strehuar në një koloni lakuriqësh.


“Pacienti zero” më i njohur i të gjitha kohërave është Mary Mallon e cila fitoi pseudonimin “Tifoja Mary”, pasi shkaktoi shpërthimin e etheve të tifos në Nju Jork në vitin 1906. Ajo emigroi në SHBA pasi filloi punë në një familje të pasur si kuzhiniere. Në kohën që shumë miq të familjes ku ajo punonte, u diagnostikuan me tifo mjekët arritën të gjurmonin shpërthimin.
Mjekët e quajtën atë një bartëse të shëndetshme, dikush që është infektuar nga një sëmundje por shfaq shumë pak simptoma të sëmundjes. Tani ka prova në rritje që disa njerëz janë më efikasë se të tjerët në përhapjen e viruseve dhe Mallom është një ndër rastet e njohura të një personi që ka këtë aftësi të njohur. Në atë kohë sëmundja preku mijëra njerëz dhe norma e vdekshmërisë ishte 10 për qind, kështu që vështirë të gjendet “pacienti zero”.

Por ky term krijon polemika. Shumë ekspertë të shëndetit janë kundër identifikimit të çështjes së parë të dokumentuar të një shpërthimi, nga frika e dezinformimit në lidhje me sëmundjen ose edhe me vetë profilin e personit.
Një shembull i famshëm është një njeri i cili gabimisht u identifikua si “pacienti zero” i virusit AIDS. Gaetan Dugas, një mjek homoseksual i cili udhëtoi nga Kanadaja në SHBA, është një nga pacientët me të gjykuar në histori i cili u fajësua për përhapjen e HIV/AIDS në SHBA gjatë vitit 1980. Por tre dekada më vonë shkencëtarët zbuluan se ai nuk ishte rasti i parë dhe çuditërisht termi “pacienti zero” u krijua aksidentalisht. Ndërsa hetonin përhapjen e sëmundjes në Los Angeles dhe San Francisco në fillim të viteve '80, studiuesit nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA përdorën shkronjën "O" për të referuar një rast të prekur, i cili ishte me origjinë nga Kanadja. Studiues të tjerë gabimisht e interpretuan shkronjën si numrin “0” dhe kështu lindi koncepti i “pacientit zero”. /BBC/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë