Teknologji dhe Inovacion

A do ta marrë një robot punën tuaj?

Ideja se një robot do të marrë punën tuaj mund të tingëllojë si një episod i fundit i “Black Mirror”. Por një studim i ri ka paralajmëruar se kjo gjë mund të bëhet realitet për shumë njerëz në të ardhmen.
Studiuesit nga “Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë i Lozanës”, kanë zbuluar se cilat punë kanë më shumë dhe më pak gjasa që të kryhen nga robotët. Gjetjet e tyre tregojnë se ambalazhuesit, pastruesit dhe kasapët përballen me rrezikun më të madh për t'u zëvendësuar nga robotët. Mësuesit, avokatët dhe fizikantët janë të sigurt.

"Sfida kryesore për shoqërinë sot është se si të bëhet elastike ndaj automatizimit. Studimi ofron këshilla të detajuara për karrierën për punëtorët, që përballen me rreziqe të larta të automatizimit. Kjo i lejon ata të marrin punë më të sigurta duke ripërdorur shumë nga aftësitë e fituara në punën e vjetër", shpjegoi profesori Rafael Lalive, i cili drejtoi studimin.

Në studim, ekipi kombinoi literaturën shkencore dhe teknike mbi aftësitë robotike me statistikat e punësimit dhe pagave për 1000 vende pune. Kjo i lejoi ata të llogarisin se cilat punë ekzistuese janë më të rrezikuara për t'u kryer nga robotët në të ardhmen.

"Ka disa studime që parashikojnë se sa punë do të automatizohen nga robotët, por të gjithë ata fokusohen në robotë softuerësh. Për më tepër, këto parashikime luhaten shumë në varësi të mënyrës se si vlerësohen kërkesat e punës dhe aftësitë e robtëve”, shpjegoi profesor Dario Floreano, i cili drejtoi studim.

Foto ilustruese për bashkëpunimin e inteligjencës artificiale dhe forcës punëtore. Marrë nga Daily Mail.

Llogaritjet e ekipit, tregojnë se punët që kërkojnë saktësi të nivelit milimetrik të lëvizjeve kanë më shumë gjasa të merren nga robotët, të cilët mund t'i përsërisin këto lëvizje.
Bazuar në rezultatet, studiuesit kanë dalë me një metodë duke treguar tranzicionet më të lehta të karrierës për njerëzit, punët e të cilëve janë në rrezik, të cilën ata thonë se qeveritë mund ta përdorin për të ulur papunësinë në të ardhmen.

Studimi i ri vjen menjëherë pasi Forumi Ekonomik Botëror paralajmëroi se, robotët do të marrin përsipër gjysmën e të gjitha detyrave në vendin e punës deri në vitin 2025.
Hulumtimi parashikon që robotët të zëvendësojnë me shpejtësi njerëzit në sektorët e kontabilitetit, menaxhimit të klientëve, industrisë, postës dhe sekretarisë.

Klaus Schwab, Themelues dhe Kryetar Ekzekutiv i Forumit Ekonomik Botëror, shpjegoi se punët që kërkojnë 'aftësi njerëzore' si shitjet, marketingu dhe shërbimi ndaj klientit, duhet të shohin rritje të kërkesës ndërkohë, së bashku me tregtinë elektronike dhe rrjetet sociale.

Sipas tij, është thelbësore që biznesi të marrë një rol aktiv në mbështetjen e fuqisë punëtore ekzistuese, përmes rikualifikimit dhe përmirësimit të aftësive, që individët të kenë një qasje proaktive ndaj të mësuarit të tyre gjatë gjithë jetës.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë