Nga Gazeta 'Si' - Me sa duket ka triumfuar sërish Doktrina Kissinger. Në mesin e 2 makro-konflikteve (Ukraina dhe Gaza), dhe me po aq kriza në sfond, të zbutura vetëm për momentin (Serbi/Kosovë dhe Nagorno-Karabah), nuk do të kishte kuptim që të nxitej një përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve në Detin Egje.
Për këtë arsye Athina dhe Ankaraja janë “nxitur” që të nisin një sezon të ri dialogu midis tyre, duke lënë mënjanë çështjet më të nxehta dhe më përçarëse. Mesdheu Lindor, është një zonë shumë strategjike, pasi nga aty mund të mbahen nën vëzhgim shumë vatra të nxehta konflikti. Megjithatë nuk ka mungesë variablash, si për shembull BRI-ja (Nisma e Brezit dhe Rrugës) e Kinës.
Një atmosferë e re në Egje?
Nga Uashingtoni vjen apeli drejtuar të dyja vendeve, duke u shpjeguar atyre se duke pasur parasysh dy luftërat e vazhdueshme dhe krizat në Kosovë dhe Nagorno Karabak, nuk ka nevojë për tensione të mëtejshme në rajon.
Me një optimizëm të kujdesshëm, Turqia dhe Greqia duhet të përqendrohen në bashkëpunimin për çështje me interes të ndërsjellë, dhe duhet ta bëjnë këtë duke pasur një qasje afatgjatë për të zhdukur mosbesimin mes palëve në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Forcimi i besimit tek tjetri, është objektivi i parë i kanaleve diplomatike që kanë nisur të riaktivizohen. Megjithatë nuk mungojnë as pengesat, sikurse është kërkesa e Ankarasë drejtuar Uashingtonit për të marrë avionët luftarakë F-16 të porositura prej saj vite më parë.
Po ashtu, një burim tensioni mbeten marrëdhëniet Kinë-Greqi, në dritën e vizitës së kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Kinë dhe ftohtësinë që ekziston aktualisht midis Athinës dhe Tiranës për shkak të arrestimit të një kryebashkiaku që i përket minoritetit grek.
Pikat e përbashkëta
Çuditërisht, një ndër pikat e përbashkëta midis Athinës dhe Ankarasë, ka të bëjë me qasjen e tyre ndaj Kinës. Porti i madh i Pireut në Greqi, është aktualisht nën menaxhimin e kompanisë kineze “Cosco China”. Po ashtu, Greqia është pjesë e BRI-së, ndërsa po thellohet bashkëpunimi kulturor midis Athinës dhe Pekinit.
Shen Haixiong, president i China Media Group (CMG), ka arritur së fundmi një marrëveshje në sektorët e kulturës dhe medias greke me botuesin grek, oligarkun dhe pronarin e anijeve Dimitris Melissanidis, pronar i gazetës së parë me profil ekonomik në Greqi, Naftemporiki.
Në 10-vjetorin e Nismës Një Brez, Një Rrugë, Shen tha se Greqia “është një partnere e rëndësishme në ndërtimin e përbashkët të BRI-së, dhe një mike dhe partnere e mirë e Kinës në Evropë”. Ndërkaq ai shtoi se “zhvillimi i begatë i projektit BRI, është në fakt një proces shkëmbimi, komunikimi, mësimi reciprok dhe frymëzim i ndërsjellë midis qytetërimeve të ndryshme”.
Njëkohësisht, CMG ka lidhur një sërë marrëveshjesh me platformën greke “Nova Telecommunications & Media SMSA”, për të përmirësuar transmetimin e kanaleve “CGTN English” dhe “CGTN Documentary” në Greqi. Në aktivitet morën pjesë edhe ish-presidenti grek Prokopios Pavlopoulos, Ministrja greke e Turizmit Olga Kefalogianni dhe ambasadori kinez në Greqi Xiao Junzheng.
Fërkimet mbeten
I pari ka të bëjë me Qipron. Me rastin e 40-vjetorit të shpalljes së njëanshme të pseu-doshtetit, të paligjshëm dhe të dënuar nga rezolutat 541/1983 dhe 550/1984 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Ministria e Punëve të Jashtme greke dënoi zyrtarisht statuskuonë aktuale, duke vënë në dukje se ky është një “përvjetor i trishtë, në të cilin Greqia nënvizon nevojën për respektimin e plotë nga të gjitha shtetet, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar, i vendimeve të Këshillit të Sigurimit”.
Greqia, thuhej në deklaratën për mediat, nuk do të pranojë kurrë pushtimin turk të Qipros Veriore, dhe në koordinim të ngushtë me Nikozinë, ajo po punon për të krijuar kushtet që “do të çojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, të qëndrueshme, funksionale dhe reciprokisht të pranueshme brenda kornizës. të vendimeve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.
Javët e fundit, edhe për shkak të luftës në Gaza, Qiproja ka marrë një rol edhe më strategjik, pasi po përdoret si një aeroplanmbajtëse natyrale për ngritjen e avionëve ushtarakë amerikanë, të cilet monitorojnë qiejt mbi Izrael dhe vendet fqinje.
Skenarët
Një muaj më parë, zëvendësministrat e jashtëm të Greqisë dhe Turqisë, u takuan në Athinë për një dialog pozitiv mbi axhendën e parapërcaktuar. Ndërkohë në 7 dhjetor në Selanik, është planifikuar të mbahet mbledhja e këshillit të bashkëpunimit të nivelit të lartë, me pjesëmarrjen e vetë presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.
Ruajtja e atmosferës pozitive, është porosia kryesore që të dy udhëheqësit, i kanë dhënë të gjithë ministrave të tyre. Ndërkaq, kohët e fundit Turqia ka stabilizuar lidhjet e saj me Egjiptin, si dhe ka rivendosur marrëdhëniet diplomatike me Izraelin.
Edhe pse më pas ka folur qartë kundër veprimeve të fundit të qeverisë se Benjamin Netanjahut në Gaza. Nga ana tjetër, edhe Greqia po vendos marrëdhënie të qëndrueshme me vendet e Gjirit, si për të tërhequr investime të huaja, ashtu edhe për ta ofruar veten si një skelë natyrore në Detin Mesdhe.
Burimi: “Formiche.net”/ Përshtati: Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.