Ngjarje

A do hotel? Dy të rinj sulmuan marokenin, e goditën dhe i vodhën 20 eurot që kishte me vete

Dy të rinj që u shtirën si mikpritës të një emigranti do të gjykohen për grabitje me dhunë. Ndërkohë viktima e tyre, një emigrant i paligjshëm që po përdorte vendin tonë si rrugë kalimi drejt BE do të gjykohet edhe për kalim të paligjshëm të kufirit. Sipas burimeve të gazetës Si, D.P është një 17-vjeçar së bashku me E.V 21 vjeç u morën të pandehur për sulmin ndaj emigrantit. Dy të rinjtë deklaron prokuroria u kallëzuan në telefon nga qytetarët, pasi vërejtën se në rrugë po ndodhte një konflikt. Por kur qytetarët ndërhynë për t’i ndarë të rinjtë, ata panë që dy prej tyre u larguan me vrap, ndërsa i treti në një gjuhë të pakuptueshme, la të nënkuptohej që kishte nevojë për ndihmë. Sipas veprimeve të mëpasshme rezultoi se shënjestra e dhunuesve ishte shtetasi maroken, Khalid Azoyan. “Hyra në Shqipëri transit, kam ardhur në mënyrë të parregullt. Po ecja në mesnatë në rrugë dhe po mendoja ku do flija. Dy djem m’u afruan dhe më folën në gjuhë të huaj, njëri më pyeti frëngjisht dhe tjetri anglisht. A ke nevojë për hotel më thanë”, tregon marokeni që ka shpjeguar sekondë pas sekonde se si ra viktimë e bujarëve të panjohur.

“Pranova dhe vazhdova rrugën me këta shtetas, mendova që po më tregonin hotelin, por ata sapo më futën tek shinat e trenit, në një rrugicë, më detyruan të pi. Megjithëse jam mysliman dhe kundërshtova ata më detyruan forcërisht, pastaj ushtruan dhunë fizike”. Denoncuesi rrëfen se si njëri prej tyre e mbante dhe tjetri e godiste, herë me grusht në fytyrë e herë në gjymtyrë. “Më morën 20 eurot që kisha me vete, citohet të ketë thënë në dosjen që gazeta Si disponon i huaji i pafat. “Ata më morën telefonin dhe kuptova që teksa më godisnin, njëri bënte si më i mirë e tjetri si më i keqi, por kuptova që ata po bënin lojën shton më tej i riu.

Por dy të rinjtë, pasi u pyetën nga policia, pretendojnë se janë penduar. Kam qenë i dehur deklaroi D.P, i mora marokenit vetëm dhjetë euro, por nuk e kam rrahur. Ndërkohë i pandehuri tjetër E.V këmbëngul se nuk ka kryer asnjë veprim ndaj të huajit të pastrehë.

Por përveç dy të rinjve, prokuroria pasi këqyri sistemin TIMS dhe pa që marokeni nuk rezulton të ketë kaluar kufirin shqiptar sipas ligjit, e mori dhe atë të pandehur dhe e vendosi nën akuzë për kalim të paligjshëm. Çështja u hetua nga prokurorja Elsa Miha, e cila pasi ka mbledhur provat i thotë gjykatës se konflikti mes tre të rinjve ishte sulm për grabitje dhe se nuk kishte shkaqe të tjera përplasjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë