Politike

Kufijtë e Kosovës, pasojat e krisjes së Tiranës

Bledar Hoti – Marrëveshja e re mes Kosovës dhe Serbisë, që po kërkohet nga SHBA-ja, si dhe mundësia e rishikimit të kufijve po pasqyrohet në Shqipëri me qëndrime të ndryshme nga drejtuesit e shtetit shqiptar. Ata që njohin diplomacinë thonë se – në rastin më të mirë – kjo mosdakordësi na nxjerr jo seriozë në sytë e botës.

Gjatë këtyre ditëve janë vërejtur qëndrime diametralisht të ndryshme të kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta sa i përket idesë së nënshkrimit të një marrëveshjeje apo dhe rishikimit të kufijve të Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri Edi Rama do të deklarohej menjëherë pro vendosjes 100 për qind të taksës së Kosovës ndaj produkteve Serbeve, ndërsa reagimi i tij shkaktoi jo pak reagime në Serbi, e cila nuk ngurronte t’i akuzonte Tiranës zyrtare të ndërhynte pranë qeverisë së Kosovë për tërheqjen e vendimit. Më pas, delegimi i kompetencave të Ministrit të Jashtëm nga Rama tek Gent Cakaj (personit që më parë ishte shprehur për rishikimin e kufijve), duket se ndau më dysh linjën politike të shtetit shqiptar sa i përket çështjes së Kosovës.

Këto u bënë mjaft të qarta pas aktit të refuzimit të presidentit për të dekretuar Cakajn në postin e Ministrit të Jashtëm.

“E di shumë mirë që s’kemi dëgjuar asgjë akoma, me ç’do na dëgjojnë veshët më tutje, por dua ta bëj të qartë, për të gjithë dhe njëherë: Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të pranohet dhe të garantohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Pikë!”, do të deklaronte Rama në takimin me ambasadorët e huaj të akredituar në Tiranë. Por gjithsesi me këtë qëndrim, Rama iu shmang çështjes se duhen rishikuar apo jo kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë me këtë marrëveshje. Ndërkohë që presidenti Ilir Meta në qëndrimet e tij fillimisht ka qenë kundër ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës. “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”, do të ishte një reagim i Metës më 10 janar.

Por gjatë takimit të zhvilluar ditët e fundit në SHBA, në Senatin amerikan, kreu i shtetit pati një qëndrim më të moderuar. Duke folur për rrezikun e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, presidenti theksoi se mbështet marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, duke kërkuar garanci për këtë.

“Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues. Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor”, theksoi Meta në fjalën e tij.

Ky qëndrim i mbajtur nga drejtuesit e shtetit shqiptar flet qartë – në rastin më të mirë – për një mos rakordim mes tyre. Nga ana tjetër, kjo tregon se faktori shqiptar nuk ka një strategji të unifikuar si do t’i paraqiten në arenën ndërkombëtare përballë këtyre zhvillimeve që kanë ndikim të dukshëm në rajonin e Ballkanit.

Ish-ambasadori Agim Nesho, në një reagim për Gazeta “Si” e cilëson të dëmshme një sjellje të tillë, çka mund të ndikojë jo pak përpara faktorit ndërkombëtar apo dhe vetë aleatëve tanë.

Ai thekson se për çështjet kryesore të politikës së jashtme kërkohet gjithmonë që të ketë një qëndrim të unifikuar, që pasqyron edhe seriozitetin e institucioneve të shtetit. Qëndrimet e politikës se jashtme sidomos për çështje kryesore që kanë të bëjnë me kombin shqiptar dhe të ardhmen e tij, vijnë si rezultat i hartimit të një strategjie dhe zbatimit të një platforme të unifikuar dhe konsensuale.

Agim Nesho

“Fatkeqësisht në Shqipëri pushteti monopolizon politikën e jashtme, e cila më shumë i shërben pushtetit të kryeministrit. Në këtë rast kemi një pëlqim nga kryeministri për një projekt të veçantë që është hartuar dhe shtyhet nga udhëheqësit e Serbisë, Kosovës, projekt i cili ka krijuar reagime të shumta jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, pohon Nesho.

Sa u takon qëndrimeve të ndryshme, diplomati i karrierës shprehet se këto fenomene janë të dëmshme.

“Qëndrimet e presidentit Meta janë më institucionale, larg të papriturave dhe të panjohurave, më të përgjegjshme për të shmangur destabilitetin dhe mundësinë e konflikteve të tjera në rajonin e Ballkanit. Duke qenë se në Shqipëri ka mungesë të funksionimit të shtetit ligjor dhe respektimit të institucioneve, ndodhin fenomene të tilla të cilat më së paku na bëjnë jo seriozë përpara aleatëve dhe opinionit ndërkombëtar”, thekson Nesho.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë