Tema e kufijve është zbehur nga diskutimet në aksin Prishtinë-Beograd, por në dy ditët e fundit është ndezur në aksin Prishtinë-Tiranë. Fillimisht ishte Presidenti Hashim Thaçi, që në një konferencë për shtyp iu përgjigj prerazi dhe qartë zërave në Shqipëria që kundërshtojnë idenë e tij për “korrigjimin e kufijve”.
“Ky proces tani është në një gjithpërfshirje shqiptare, por në fund është vendim i institucioneve të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës, kjo është me rëndësi. Konsultime duhet të ndodhin me të gjithë. E vlerësoj që janë të nevojshme dhe të përhershme prej 3 dekadash me autoritetet në Shqipëri. Por, ne jemi dy vende sovrane dhe vendimarrja i takon Prishtinës në fund, sikurse ne nuk kërkojmë të përfshihemi në debatin e tyre për çështjen e detit me Greqinë. Është çështje e tyre”, deklaroi ai.
Këshillën e Hashim Thaçit duket se i pari që e ka vendosur “vëth në vesh” në Tiranë është Kryeministri Edi Rama.
“I takon në radhë të parë Kosovës, shtetit dhe autoriteteve të Kosovës të përpunojnë një platformë për dialogun dhe unë jam i fundit njeri ndër shqiptarë që më takon të flas dhe të bëj komentatorin. Ndjej detyrimin që të respektoj deri në fund Kosovën dhe autoritetet e saj”, deklaroi ai në intervistën e dhënë në Top Channel.
Edhe Rama duket se ka vënë re kakofoninë e zërave mbi temën e kufijve në Prishtinë dhe ka një këshillë për klasën politike atje.
“Duhet të bëjnë një diskutim të brendshëm strategjik dhe këtë duhet ta bëjnë ata që e drejtojnë Kosovën dhe këtë nuk po e shoh që ata ta bëjnë. Shqiptarët duhet të diskutojnë si burra të Kuvendit dhe jo hidh e prit në televizion vetëm për t’u konfliktuar. Ne kemi humbur, sepse nuk kemi ditur si të sillemi me historinë”, u shpreh ai.
Mbështetjen e Kosovës, Tirana e ka një detyrim edhe Kushtetues dhe Hashim Thaçi e dinte këtë në fillim te gushtit kur kërkonte ndihmën e mbështetjen e Shqipërisë për realizimin e kërkesës së shqiptarëve te Luginës së Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për bashkim me Kosovën.
“Ende nuk kam biseduar në mënyrë zyrtare me autoritetet shqiptare. Por nuk dua të besoj se Shqipëria do të jetë në pozicionin kundër vullnetit të qytetarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës. Mbes me shpresë se Shqipëria do të pozicionohet në favor të të drejtave të tyre”, deklaronte ai.
Por, nëse Hashim Thaçi sot vendos “kufij” se si dhe sa duhet ndërhyrë, zv.Kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shtrin dorën për ndihmë.
“Dialogu Kosovë-Serbi ishte temë diskutimi. Kërkova mbështetjen e plotë të shtetit shqiptar në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën, që të na asistojë kudo që është e nevojshme”, shkruan Pacolli në rrjetet sociale pas takimit me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati.
Ajo që perceptohet në publik në Tiranë e Prishtinë, të paktën deri më tani, është se ka një qëndrim mbështetës të Qeverisë shqiptare ndaj idesë së Hashim Thaçit. Por, vetë Presidenti i Kosovës nuk gëzon mbështetjen e qeverisë së tij, ose të paktën të Kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Kufijtë në Ballkan ndryshojnë veç me luftë”, ka përsëritur ai në deklaratat e tij publike.
Veç Haradinajt, kundër Thaçit është rreshtuar opozita, si në Prishtinë, ashtu edhe në Tiranë. Në Prishtinë, Albin Kurti e quan idenë e Presidentit të Kosovës “pazare për t’i shpëtuar gjykimit nga Gjykata Speciale”.
Në Tiranë, Partia Demokratike ka ruajtur një qëndrim përgjithësisht të moderuar kundër ndryshimit të kufijve dhe vetëm Sali Berisha ka dalë fuqimisht kundër përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku idenë e Thaçit e quan tregti.
Për këtë akuzë mori kundërpërgjigjen e Presidentit të Kosovës, që i kujtoi ish-Presidentit dhe ish-Kryeministrit të Shqipërisë periudhën kur shkelte embargon e naftës ndaj Sllobodan Millosheviçit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.