Politike

Ish-sigurims? Vendos KLP. Sheshi: Sulm mafioz edhe nga shteti

Bledar Hoti - Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të mbajë një qëndrim zyrtar në ditët në vijim sa i përket akuzave të lëshuara ndaj Bujar Sheshit, anëtar i këtij institucioni të ri që u ngrit pas miratimit të reformës në drejtësi. Partia Demokratike akuzoi dy ditë më parë se prokurori Bujar Sheshi figuron sipas dokumenteve të Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit.
Kjo akuzë e lëshuar nga ana e Partisë Demokratike nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri ka qenë objekt i diskutimit në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku vetë anëtari Bujar Sheshi ka kërkuar që të mbajë qëndrim në lidhje me këto sulme, duke rrëzuar poshtë pretendimet e ngritura nga ana e opozitës.

Në deklaratën e tij publike në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Sheshi hodhi poshtë çdo mundësi se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në Kohën e regjimit komunist.
“Deklaroj me përgjegjësi të plotë para jush dhe para ligjit se unë Bujar Sheshi se nuk kam qenë asnjëherë bashkëpunëtor i fshehtë i Sigurimit të Shtetit, sikurse pretendon vendimi i Autoritetit të Dosjeve”, theksoi Sheshi. Më pas ai i kërkoi KLP-së të hetojë në lidhje me akuzat e ngritura, pasi theksoi se këto sulme nuk po synojnë vetëm goditjen e tij si anëtar, por edhe ndaj institucionit, me qëllimin që siç tha, për të zhbërë reformën në drejtësi, pikërisht në fazën e krijimit SPAK dhe të emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm.
Por akuza më e rëndë e lëshuar nga anëtar i KLP-së është se ai aludon se prapa këtij sulmi nuk qëndron vetëm politika, por edhe pjesë të caktuara të shtetit.

“Fakti që kanë arritur te manipulojnë deri ne institucione shtetërore, siç është rasti konkret AIDSSH-ja më çon në përfundimin se pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara të politikës, por dhe se persona me pushtet të lartë kanë ushtruar ndikim në këtë institucion për të dalë në një veprim të paprecedent që është dukshëm politik. E konsideroj këtë situatë të rrezikshme dhe kërkoj të gjithë vëmendjen dhe përkrahjen tuaj për zbardhjen e së vërtetës si dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë këtyre personave që janë bërë pjesë e këtij skenari mafioz”, deklaroi Sheshi.

Më pas ai theksoi se KLP e ka për detyrë të ndalë çdo tentativë për të goditur këtë institucion nga shantazhet dhe segmentet dashakeqe. “Reagimi ynë duhet të jetë institucional dhe i fuqishëm jo për të mbrojtur personin tim, por për të bërë të mundur mbrojtjen e institucionit tonë dhe gjithë arritjet e reformës në drejtësi. Jam i sigurt se drejtësia do të arrijë në një konkluzion të drejtë dhe të saktë në lidhje me këtë çështje. Nuk besoja se do të arrinin deri në sajesa të tilla”, theksoi anëtari i KLP-së.
Por në mbështetje të Sheshit, foli vetëm anëtarja Nurihan Seiti, e cila ndau bindjen se e vërteta do të dalë në shesh në lidhje me këtë çështje.

Akuzat e PD-së për Sheshin, vendimi brenda javës

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi bëri të ditur se të premten e shkuar ka mbërritur pranë këtij institucioni dokumenti i Autoritetit të Dosjeve. Ndërsa mësohet se KLP-ja do t’i drejtohet zyrtarisht prokurorisë në lidhje me këtë çështje. “E vlerësoj qëndrimin tuaj në lidhje me këtë çështje zoti Sheshi, por KLP do të dalë me një qëndrim ditën e premte”, theksoi Ibrahimi.
Ky institucion pas marrjes së informacionit edhe nga Prokuroria e Përgjithshme do të dalë me një deklaratë zyrtare për pretendimet e ngritura nga ana e opozitës.

Dokumenti i vendimi te AIDSSH për anëtarin e KLP-së, Bujar Sheshi


Partia Demokratike paraqiti një dokument të Autoritetit të Dosjeve, duke akuzuar kryeprokuroren e Përkohëshme Arta Marku se e ka fshehur qëllimisht një fakt të tillë. “Dokumentet zyrtarë tregojnë se ai është bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe për këtë fakt procedura e emërimit të tij duhet të ishte ndërprerë menjëherë. Ligji e ka shumë të qartë: një bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit ndalohet të bëhet pjesë e organeve të reja të drejtësisë. Më konkretisht, kushti pengues ligjor parashikohet nga neni 105, ku thuhet se: “Kandidatët duhet të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit”, theksoi Strazimiri. Sipas tij përgjegjësia bie ndaj kryeprokurores Arta Marku, e cila nuk ka kryer verifikimin e figurës, siç e kërkon ligji. Ligji për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë, sipas PD-së e ngarkon Arta Markun me përgjegjësi direkte, pasi në nenin 279 përcaktohet se “Prokurori i Përgjithshëm verifikon përmbushjen e kritereve ligjore për anëtarë te KLP-së.
Për PD-në, Bujar Sheshi, është emëruar në KLP në kundërshtim me ligjin, sepse ai ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit që në gjimnaz. “Pseudonimi i atij që sot është në drejtimin e qeverisjes së re të Prokurorisë ka qenë “Venus”-i, por dashuria me Arta Markun, e cila e ka kualifikuar në kundërshtim me ligjin, ka mbaruar”, theksoi Strazimiri.
Gjithashtu PD-ja akuzon edhe Autoritetin e Dosjeve se e ka marrë tre muaj vonesë vendimin për prokurorin e Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, që aktualisht është anëtar i KLP-së.
Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar zyrtarisht Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit më 26 tetor të vitit 2018, ndërsa vendimi i këtij institucioni është shpallur më 22 janar të këtij viti.
“Z.Bujar Sheshi figuron në në dokumentet të ish-Sigurimit të Shtetit si bashkëpunëtor, Sektor V, drejtimi Inteligjencë-Rini, por nga verifikimet e deritanishme nuk disponojmë dokumente që vërtetojnë aktivitetin e tij. Z.Bujar Sheshi figuron të këto materiale të tij, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, si anëtar me detyrë Hetues, në sektorin e Hetuesisë së Degëve të Punëve të Brendshme të Fierit që nga vitit 1979”, thuhet në dokumentin e firmosur nga 4 anëtar te Autoritetit të Dosjeve. Sheshi u zgjodh në nëntor si anëtari i KLP-së, si e vetmja kandidaturë e propozuar nga prokuroritë e Tiranës. Ndërkohë Autoriteti i Dosjeve i dërgoi përgjigjen në 22 janar të këtij viti.

Vendimi i AIDSSH-së i firmosuar nga pesë anëtarët për prokurorin Sheshi

Prokuroria e Përgjithshme po heton rastin

Pas akuzave të ngritura nga opozita akuzave dhe denoncimit të PD-së, se prokurori Bujar Sheshi që u zgjodh anëtar i KLP-se, ka qenë ish-sigurims, me pseudonimin “Venus” që në kohën e gjimnazit.
Prokuroria e Përgjithshme sqaron me anë të një deklaratë për mediat, se në kohën që ai është zgjedhur anëtar i KLP nuk ka qenë në dijeni të së shkuarës së tij, pasi “përgjigja e ardhur nga Autoriteti i Dosjeve i është njoftuar KLP-së me shkresën nr. 2873/ 3, datë 25. 01. 2019 dhe Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pranë Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr. 2873/ 2, datë 25. 01. 2019”.
Po në të njëjtën kohë, Prokuroria e Përgjithshme thekson se për këtë rast, të shkresës së ASISH-së për anëtarin Sheshi do të hetohet.
“Përgjigja e ardhur nga AISSH me shkresën nr. 1030/ 6, datë 23. 01. 2019, i është njoftuar KLP-së me shkresën nr. 2873/ 3, datë 25. 01. 2019 dhe Komisionit të Pavarur për Koordinimin, Monitorimin dhe Ndjekjen e Zbatimit të Ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, pranë Kuvendit të Shqipërisë, me shkresën nr. 2873/ 2, datë 25. 01. 2019. Vonesa në kthimin e përgjigjes nga AISSH dhe plotësimi i deklaratës individuale të nënshkruar prej prokurorit Bujar Sheshi, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, që nuk përputhet në përmbajtje me Vendimin e AISSH, janë objekt i një hetimi të thelluar nga prokuroria kompetente”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Përgjithshme.
Më tej theksohet se vetë kandidati Sheshi në dokumentet e dorëzuara, ka paraqitur edhe deklaratën individuale, përkundrejt përgjegjësisë ligjore, ku thekson se nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor apo i favorizuar i ish-Sigurimit të Shtetit deri më datë 02 korrik 1991 si dhe Formulari përkatës i Autoritetit të Informimit mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
Në rastin e kandidatit për KLP, prokurorit Bujar Sheshi, Prokurori i Përgjithshëm, i ka kërkuar Komisionit verifikimin e të gjitha kushteve ligjore parashikuar në nenin 108 të Ligjit nr. 115/2016, dhe, njëkohësisht i ka dërguar për verifikim AISSH, formularin përkatës të plotësuar dhe nënshkruar prej kandidatit në respektim të nenit 29 të Ligjit 45/ 2015.
“Pasi është njohur me Relacionin e Burimeve Njerëzore datë 01. 11. 2018, sipas të cilit prokurori Bujar Sheshi plotëson kushtet dhe kriteret ligjore për të qenë kandidat i KLP, në kushtet kur verifikimi në AISSH nuk ishte një prej kritereve të parashikuar në ligj, brenda afateve ligjore të detyrueshme, Prokurori i Përgjithshëm ka vijuar me procedurën për organizimin e Mbledhjes së Përgjithshme si hapi përfundimtar për ngritjen e KLP-së”, thekson organi i Akuzës.
Edhe Komisioni i Monitorimit të Zbatimit të Reformës në Drejtësi që vepron pranë Kuvendit mësohet se do të diskutojë sa i përket rastit të anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë