Ngjarje

Mbahet sot protesta kombëtare në kryeqytet

Qytetarë të shumtë janë grumbulluar në sheshin ‘Skënderbej’ që në orët e para të mëngjesit të të shtunës, në kuadër të protestës së paralajmëruar në kryeqytet, ndërsa hedhja e kapsollave ka shënuar momentet e para të tensionit gjatë tubimit.

Ndërkohë policia ka vendosur autobotët e ujit në disa pika.

Protesta mbahet në 114-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.

PD-ja ka deklaruar se e mbështet protestën, ndërsa kryeministri Edi Rama merr pjesë në ceremoninë e ngritjes së flamurit në Vlorë.

Lëvizja Aleanca Kombëtare paraqiti në një pankartë 10 propozime, mes tyre thirrjen e një Asambleje Kushtetuese për të rishkruar Kushtetutën dhe krijimin e një qeverie tranzitore me ekspertë pa parti. Në listë kërkohen edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor dhe vetingu i menjëhershëm i gjithë klasës politike. Pikat përfshijnë gjithashtu konfiskimin e pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, ashpërsimin e dënimeve për korrupsion dhe reformën për çështjen e pronave.

10 pikat e propozuara nga Aleanca Kombëtare

1. Thirrja e Asamblesë Kushtetuese, që të rishkruajë Kushtetutën e Shqipërisë duke i rikthyer kombit shqiptar sovranitetin dhe vendimmarrjen.

2. Krahas referendumit shfuqizues/abrogativ të vendoset edhe referendumi propozues për çështje të caktuara.

3. Ndryshimi i sistemit elektoral dhe kodit zgjedhor në funksion të përfaqësimit të gjithë shtresave shoqërore.

4. Krijimi i një qeverie tranzitore të formuar nga ekspertët më të mirë pa parti, me pëlqimin e Parlamentit Shqiptar.

5. Kalimi në veting të menjëhershëm i gjithë klasës politike.

6. Sekuestrimi dhe konfiskimi i gjithë pasurive të pajustifikuara të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.

7. Ashpërsimi i ndëshkimeve penale e administrative për çdo formë korrupsioni, si dhe ndëshkimi me konfiskim i çdo pasurie të pajustifikuar.

8. Ndëshkim i ashpër i ekonomisë kriminale kudo që gjendet dhe me çdo formë; heqje licensash, sekuestrime, konfiskime deri në burgosje.

9. Reformë rrënjësore dhe përfundimtare për çështjen e pronave.

10. Ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë