Bota

Zelensky kritikon SHBA-në: Vonesat me raketat Patriot po kushtojnë jetë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për vonesat në furnizimin me raketa për sistemet e mbrojtjes ajrore Patriot, duke paralajmëruar se mungesa e tyre po u kushton jetën qytetarëve ukrainas.

Në një intervistë për BBC-në në Kiev, Zelensky tha se Uashingtoni ka fuqinë të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës, ndërsa shprehu pakënaqësi për përparësinë që SHBA-ja po i kushton Lindjes së Mesme në furnizimin me armatime.

Ai kritikoi gjithashtu qëndrimin e Donald Trump ndaj Vladimir Putinit, duke e cilësuar si të papërshtatshme fotografinë ku presidenti amerikan përqafonte liderin rus dhe e quante atë “miku im”. Sipas Zelenskyt, Putini është agresor dhe nuk mund të konsiderohet mik.

Sa i përket negociatave të paqes, presidenti ukrainas tha se raundi i fundit i bisedimeve në Abu Dabi nuk solli përparim dhe se gjatë diskutimeve po dalin gjithnjë e më shumë probleme. Negociatat pritet të rifillojnë në dhjetor, por mbetet e paqartë nëse përfaqësuesit europianë do të marrin pjesë.

Ndërkohë, sulmet ruse ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike ukrainase po shtohen, duke e bërë situatën veçanërisht të vështirë përpara dimrit. Zelensky tha se Ukraina arrin të rrëzojë rreth 70% të dronëve më të shpejtë rusë, por mungesa e raketave për interceptimin e raketave balistike mbetet shumë e madhe.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për kufizimet në përdorimin e sistemeve satelitore Starlink dhe Starshield, të cilat, sipas tij, po ndikojnë në aftësinë e forcave ukrainase për të neutralizuar dronët rusë.

Pavarësisht vështirësive, Zelensky deklaroi se Ukraina do të vazhdojë të mbrojë kryeqytetin dhe infrastrukturën e saj. Ai paralajmëroi se Moska synon të detyrojë banorët të largohen nga Kievi, por theksoi se vendi nuk do të heqë dorë nga kryeqyteti.

“Pa kryeqytet, nuk ke shtet”, u shpreh presidenti ukrainas.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë