Ngjarje

Operatorët e transportit publik kundër rritjes së TVSH-së, kërkojnë futjen e shërbimit në produktet e shportës

Transporti publik ka pezulluar përkohësisht shërbimin ditën e sotme duke e nisur punën 2 orë me vonesë, në shenjë kundërshtimi ndaj ndryshimeve të parashikuara në paketën fiskale për vitin 2027.

Shkak është rritja e TVSH-së nga 20% në 21%, e cila sipas operatorëve do të sjellë rritjen e çmimit të biletës dhe do të rëndojë financiarisht qytetarët.

Përfaqësuesit e sektorit kërkojnë që transporti publik të përfshihet në shportën e produkteve dhe shërbimeve bazë, me një normë të TVSH-së prej 6%, njësoj si produktet ushqimore. Ata argumentojnë se ky shërbim nuk është luks, por një domosdoshmëri për qytetarët që e përdorin për të shkuar në punë, shkollë apo për nevojat e përditshme.

“Transporti publik nuk është mjet luksi, por mjet i domosdoshëm dhe jetik për qytetarët. Kemi kërkuar që TVSH-ja të shkojë në 6%, ashtu si për produktet ushqimore. Për qytetarët është e domosdoshme që transporti publik të mos ketë kosto të shtuara dhe çmimi i biletës të mbetet në këto nivele”, u shpreh një prej përfaqësuesve të sektorit.

Ai theksoi se pezullimi i sotëm nuk është një masë e ndërmarrë për të penguar qytetarët të përdorin shërbimin, por një reagim për të parandaluar rritjen e çmimit të biletës nga 1 janari.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë