Teknologji dhe Inovacion

Punonjësi i Anthropic pretendon se ka zgjidhur një problem matematikor 167-vjeçar me ndihmën e AI

Një matematicien që punon për kompaninë e inteligjencës artificiale Anthropic pretendon se ka gjetur një zgjidhje për një nga problemet më të rëndësishme dhe më të vjetra të matematikës, me ndihmën e chatbot-it Claude.

Levent Alpoge publikoi një punim prej katër faqesh, në të cilin shprehet se beson se ka arritur të vërtetojë hipotezën e Riemann-it, një problem matematikor i formuluar në vitin 1859, duke bashkëpunuar me mjetin e inteligjencës artificiale të kompanisë Anthropic.

Në një postim, Alpoge përshkroi bashkëpunimin me Claude gjatë muajve të fundit, duke theksuar se këtë herë inteligjenca artificiale kishte luajtur një rol vendimtar në përfundimin e punës.

“Unë dhe Claude kemi kaluar një kohë të mrekullueshme së bashku, duke eksploruar fusha të gjera gjatë muajve të fundit, por këtë herë Claude më la shumë pas, pikërisht pranë vijës së finishit”, shkroi ai, duke shtuar se Claude kishte arritur të përparonte me shpejtësi të jashtëzakonshme drejt përfundimit.

Çfarë është hipoteza e Riemann-it?

Hipoteza e Riemann-it është një nga problemet më të njohura dhe më të rëndësishme të matematikës. Ajo u formulua në vitin 1859 nga matematikani gjerman Bernhard Riemann dhe lidhet me mënyrën se si shpërndahen numrat e thjeshtë ndërsa vazhdojnë drejt pafundësisë.

Pavarësisht rëndësisë së saj, hipoteza ka mbetur e pazgjidhur për më shumë se 160 vjet dhe konsiderohet një nga sfidat më të mëdha të matematikës moderne.

Alpöge tha se zbulimi i pretenduar ndodhi vonë të dielën në mbrëmje. Ai bëri të ditur se kishte kontaktuar edhe drejtuesin ekzekutiv të Anthropic, Dario Amodei, për të diskutuar publikimin e rezultatit.

Njoftimi u bë publik një ditë pas debutimit të bujshëm të Anthropic në tregun e aksioneve, të enjten.

Në publikimin e tij, matematikani përfshiu edhe një lidhje drejt kodit kompjuterik të shkruar në Lean, një sistem për formalizimin dhe verifikimin e provave matematikore. Sipas tij, ky kod vërteton rezultatin e arritur.

Reagimet e ekspertëve: Një arritje potencialisht historike

Pretendimi ka tërhequr vëmendjen e akademikëve, të cilët kanë vlerësuar rëndësinë e mundshme të zbulimit.

Brian Greene, profesor i fizikës dhe matematikës në Universitetin Columbia në Nju Jork, e cilësoi provën e Alpöge-s si potencialisht një nga arritjet më të mëdha matematikore të dy shekujve të fundit.

“Nëse është e vërtetë, është krejtësisht e jashtëzakonshme”, shkroi Greene në një postim në platformën X, duke iu referuar pretendimit se inteligjenca artificiale e Anthropic ka arritur të vërtetojë hipotezën e Riemann-it, një objektiv madhor i matematikës prej gati dy shekujsh.

Edhe Abhishek Saha, profesor i matematikës në Universitetin Queen Mary të Londrës, shprehu optimizëm për rezultatin, duke deklaruar se, sipas tij, ekziston një mundësi shumë e mirë që vërtetimi të jetë i saktë.

Pretendimi i Alpöge-s, nëse konfirmohet, do të përbënte një zhvillim jashtëzakonisht të rëndësishëm për matematikën dhe do të tregonte potencialin e inteligjencës artificiale për të kontribuar në zgjidhjen e problemeve më komplekse shkencore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë