Sociale

Të drejtat e fëmijëve/ Ministria e Shëndetësisë: 13 nisma dhe 10 reforma konkrete

185 rekomandime të paraqitura nga 19 institucione dhe organizata janë konsoliduar në 13 nisma konkrete dhe 10 reforma, me synimin për të forcuar sistemin e mbrojtjes dhe garantimin e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri.

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka konsoliduar propozimet në një paketë ndërhyrjesh.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë prezantimit të nismave kryesore, theksoi rëndësinë e respektimit të së drejtës së fëmijëve për t’u shprehur, për t’u dëgjuar dhe për të marrë pjesë në jetën publike, si dhe përgjegjësinë institucionale për t’i mbrojtur nga çdo formë dhune, manipulimi dhe shfrytëzimi.

Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve kërkon institucione më të përgjegjshme, të afta të identifikojnë në kohë rreziqet, të ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar dhe të garantojnë mbështetje konkrete për çdo fëmijë.

Kryeministri Edi Rama nënvizoi nevojën që Këshilli të jetë një strukturë aktive, me plan konkret dhe të kalendarizuar, për të çuar përpara hapat në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.

Në përfundim të takimit, anëtarët e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve nënshkruan Deklaratën e Përbashkët, duke formalizuar angazhimin institucional për zbatimin e nismave dhe masave konkrete.

Rekomandimet e konsoliduara adresojnë zbatimin më efektiv të kuadrit ligjor, forcimin e kapaciteteve institucionale, financimin e qëndrueshëm dhe bashkërendimin më të mirë të shërbimeve. Një pjesë e masave lidhen me Agjendën Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve 2027–2030 dhe Planin e Garancisë Evropiane për Fëmijët 2026–2030, ndërsa të tjera përfaqësojnë ndërhyrje të reja për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë