Ulja e pragut të TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë lekë ka shkaktuar kundërshtimin e përfaqësuesve të profesioneve të lira, të cilët paralajmëruan se do t’i drejtohen sërish Gjykatës Kushtetuese nëse ndryshimet ligjore miratohen në formën aktuale.
Gjatë diskutimeve në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë, avokati Lulzim Alushaj, përfaqësues i Aleancës së Profesioneve të Lira, kërkoi që qeveria të rishikojë propozimin, duke kujtuar edhe betejën e mëparshme ligjore për tatimin mbi të ardhurat e profesionistëve të lirë, të cilën e fituan në Gjykatën Kushtetuese.
“Ulja e menjëhershme dhe kaq drastike e pragut do të prekë një pjesë të profesioneve të lira. Sa do të mbledhë qeveria nga ulja e pragut dhe çfarë impakti ka kjo te profesionet e lira? Nëse ky ligj kalon në këtë formë, ka disa mangësi që duhen goditur në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi Alushaj.
Sipas tij, përfshirja në skemën e TVSH-së do të godasë veçanërisht profesionistët që ofrojnë shërbime, si avokatët, dentistët dhe audituesit, pasi rritja e kostos nuk mund t’i transferohet gjithmonë konsumatorit.
“Një rritje e menjëhershme me 21% në formulën e TVSH-së do të ndikonte direkt në të ardhurat e profesionistëve, sepse sapo u çliruan nga një barrë në vitin 2024, nga tatimi mbi të ardhurat, u erdhi një goditje e dytë, që është futja në skemën e TVSH-së”, tha ai.
Ai paralajmëroi se profesionistët e lirë janë të gatshëm të ndjekin të njëjtën rrugë ligjore si në rastin e tatimit mbi të ardhurat.
“Nëse ky ligj kalon në këtë formë, ka disa mangësi që duhen goditur në Gjykatën Kushtetuese”, tha Alushaj, duke kërkuar reflektim nga ligjvënësit.
Ndërkohë, kontabilisti Artur Papajani paralajmëroi se ulja e pragut të TVSH-së mund të nxisë informalitetin, në vend që ta luftojë atë.
“Kjo shpejtësi e ndryshimit të pragut, me amplitudë të çuditshme, nuk e kemi parë në shtete të tjera. Kaluam nga 2 milionë direkt në 10 milionë, nga 10 në 5 milionë dhe kjo sjell pasoja te numri i tatimpaguesve”, deklaroi Papajani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje