Ligji për Gjykatën Speciale do të shkojë për rivotim në Kuvendin e Kosovës pa ndryshime, pavarësisht se presidentja Justina Shiroka-Pula e ktheu për rishqyrtim më 22 tetor, me kërkesë të PDK-së. PDK dhe Lëvizja Vetëvendosja kanë rënë dakord që në seancë plenare të paraqitet i njëjti tekst i miratuar më 6 tetor, por mbetet e paqartë nëse do të sigurohen 61 votat e nevojshme për të rrëzuar veton e presidentes.
Komisioni për Legjislacion shqyrtoi sot vendimin e presidentes. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, sqaroi se partia e saj dhe Vetëvendosje kishin interpretime të ndryshme për mundësinë e ndryshimit të ligjit gjatë rishqyrtimit, ndaj u vendos që teksti të shkojë për rivotim në formën aktuale.
“Ne sot jemi në një situatë që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend në formën siç është. Pastaj, ne do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit”, tha Deliu-Kodra.
Megjithatë, Vetëvendosje vazhdon të ketë rezerva për ligjin. Kryetari i komisionit, Vigan Qorolli, e cilësoi nismën “të ngutshme, juridikisht të pamjaftueshme dhe pa ndonjë vlerë të mirëfilltë”.
Nisma për ndryshimin e ligjit u ndërmor nga PDK-ja më 21 shtator, pesë ditë pasi Gjykata Speciale e Hagës dënoi në shkallë të parë katër ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. Më 6 tetor, pas disa javësh protesta, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet me 88 vota pro. Po atë ditë u zgjodh edhe presidentja Justina Shiroka-Pula.
Ndryshimet nuk e shfuqizojnë Gjykatën Speciale, por synojnë të kufizojnë juridiksionin e saj te krimet që lidhen drejtpërdrejt me pretendimet për trafikim organesh, përfshirë vrasjet dhe torturat që kanë lidhje me këto pretendime. Periudha e krimeve që mund të gjykohen kufizohet nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, ndërsa përjashtohen krimet e pretenduara në veri të Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje