Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për Emiljano Shullazin dhe Lulzim Berishën.
Sipas pretencës së SPAK, për Emiljano Shullazin kërkohen 25 vite burg, ndërsa për Lulzim Berishën po ashtu 25 vite heqje lirie. Po ashtu 25 vite burg janë kërkuar edhe për Viktor Ymerin.
Ata akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.
Vrasjet për të cilat u krye hetimi kanë ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri Klodjan Saliu, i cili po lëvizte me makinën e tij. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur Klodjan Saliu, si dhe është plagosur O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës.
Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen Vajdin Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima Vajdin Lame.
Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rifilloi hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm, ndërsa sot gjykata vendosi të lihen në burg.
Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale. Për gjatë viteve, Shullazi është akuzuar për krime të ndryshme të rënda që nga vrasjet, shpërthimet me eksploziv, apo trafik dhe shitje e shpërndarje droge, si dhe akuza të tjera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje