Shendet

Franca konfirmon rastin e parë te njeriu të virusit Shamonda

Autoritetet franceze kanë konfirmuar rastin e parë të dokumentuar të virusit Shamonda te një njeri. Pacienti, i cili ishte i shtruar në qendrën spitalore ‘Hospices Civils de Lyon’ në Lion, ndërroi jetë në fillim të tetorit.

Sipas Ministrisë Franceze të Bujqësisë, pacienti kishte një sistem imunitar tejet të dobësuar dhe po trajtohej për një sëmundje të rëndë. Autoritetet po hetojnë nëse virusi shkaktoi vdekjen e tij apo kontribuoi në të.

Virusi Shamonda, i njohur më parë vetëm te kafshët, bën pjesë në grupin e viruseve që transmetohen nga insekte shumë të vogla pickuese, të njohura si Culicoides. Hipoteza kryesore është se pacienti u infektua nga pickimi i një insekti në Francën lindore, megjithëse bartësi i saktë ende nuk është identifikuar.

Autoritetet franceze theksojnë se, bazuar në njohuritë aktuale, nuk është identifikuar ndonjë rrezik për shëndetin e popullatës së gjerë. Në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), po vijojnë hetimet klinike, laboratorike dhe epidemiologjike për të sqaruar rastin.

Deri më tani, virusi ka prekur kryesisht gjedhët, por gjatë këtij viti janë raportuar edhe raste te delet, dhitë dhe kuajt. Te gjedhët e rritur, simptomat përfshijnë ethe, letargji dhe diarre, ndërsa te lopët qumështore mund të shkaktohet edhe rënie e prodhimit të qumështit.

Virusi u zbulua për herë të parë në Nigeri në mesin e viteve 1960 dhe më pas u raportua në disa rajone të Afrikës dhe në Japoni. Këtë verë, ai u identifikua për herë të parë në Evropën Perëndimore, me raste të raportuara në disa vende evropiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë