Ekonomi

Raporti për Shqipërinë/ DASH: Korrupsioni dhe çështjet e prapambetura gjyqësore sfidojnë klimën e biznesit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin e vitit 2026 për klimën e investimeve në Shqipëri.

Raporti e përshkruan Shqipërinë si një vend me të ardhura të mesme të larta dhe me një ekonomi që vijon të rritet, pavarësisht përballjes me probleme strukturore institucionale.

Sipas Raportit, rritja ekonomike e vendit tonë është e nxitur kryesisht nga turizmi dhe pasuritë e paluajtshme. Në raport theksohet edhe progresi që ka bërë vendi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Por në raport theksohet se pavarësisht një kuadri liberal të investimeve të huaja, flukseve rekord të investimeve të huaja direkte dhe likuiditetit të fortë të sektorit bankar, investitorët përballen me pengesa të konsiderueshme, duke përfshirë korrupsionin e përhapur në sektorin publik, zbatimin e dobët të kontratave dhe mosmarrëveshjet e vështira për të drejtat e pronësisë.

Në raport preket edhe reforma në Drejtësi në vendin tonë, ku thuhet se pavarësisht krijimit të organeve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, çështjet e prapambetura gjyqësore vijojnë të sfidojnë klimën lokale të biznesit.

Problem sipas raportit janë edhe mungesat ‘e rënda’ të fuqisë punëtore të shkaktuara nga emigrimi masiv, që ndikojnë në biznes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë