SPAK ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullim nga detyra për kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Për Hysenin dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje sekreti shtetëror.
Kontrollet vijnë si rezultat i hetimeve të dosjes së AKSHI-t.
BKH ka ushtruar kontroll në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Po kush është Vlora Hyseni?
Në qershor të 2021, mediat në Kosovë njoftonin se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kishin marrë vendim për shkarkimin e Hysenit nga detyra e nën-drejtoreshës së Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës.
“Vendimi është marrë në mbështetje të nenit 6 të Ligjit për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Vendimi për shkarkim e obligon znj. Vlora Hyseni të bëjë dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve me të cilat ka qenë e ngarkuar.
Gjithashtu, znj. Vlora Hyseni, sipas vendimit, obligohet që të ruaj të gjitha informacionet që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, pavarësisht sesi i është dhënë qasja në to apo si i ka pranuar ato, apo në çfarëdo forme tjetër ka arritur të posedoj informacione të klasifikuara.
Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit nr.06/074 Penal të Republikës së Kosovës, Ligjit Nr.03/L-178 për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Hyseni ishte emëruar zv.drejtoreshë e AKI-së në shkurt të vitit 2019. Ajo u emërua me mandat pesëvjeçar nga presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj, mandat i cili i zgjati deri në fund te qershorit 2021.
Prej asaj kohe, ajo ka qenë e punësuar si këshilltare e kryeministrit Edi Rama ndërsa në mars të 2023 kryeministri Edi Rama e ka propozuar tek Presidenti i Republikës, si kryetare të SHISH.
Propozimi i Edi Ramës është parë nga deputeti i PD-së, Gazment Bardhi si provokim i panevojshëm ndaj Kosovës.
“Eshtë hera e parë që e dëgjoj emrin e znj.Hyseni dhe nuk kam asnjë njohje për cilësinë dhe aftësinë e saj në krye të kësaj detyre. Çfarë më bën përshtypje është fakti se znj Hyseni ka mbajtur për një periudhë kohe pozicionin e nëndrejtores se AKI (shërbimit inteligjent të Kosovës) dhe është shkarkuar nga aty nga Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Nuk njoh asnjë nga arsyet e këtij shkarkimi, por me duket e pazakontë që një zyrtar i shkarkuar nga institucionet e Kosovës (në fushën e inteligjencës) të emërohet po në këtë fushë nga Shqipëria”, shkroi Bardhi në Facebook.
Sipas tij, ky rast i duket një provokim i panevojshëm nga Shqipëria karshi institucioneve të Kosovës.
“Midis institucioneve të dy vendeve tona duhet sa më shumë bashkëpunim e bashkërendim, ndërsa gjeste te tilla stimulojnë konflikt të panevojshëm dhe të dëmshëm. Unë nuk e kuptoj këtë sjellje të kryeministrit”, tha Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje