Treg

Tregu i gazit fut Europën në ‘panik dimëror’, rezervat në nivele historikisht të ulëta

Gjermania dhe Britania e Madhe po përballen me një situatë emergjente, ndërsa objektet e ruajtjes në Poloni janë të mbushura në masën 90%; Italia rrezikon një efekt domino

Gazeta Si – Vera mund të jetë drejt fundit, por valët e të nxehtit që karakterizuan këtë stinë ka gjasa ta vonojnë ardhjen e dimrit me disa javë.

Siç ndodh çdo vit në prag të muajve më të ftohtë, Evropa duhet të bëjë një bilanc të rezervave të saj të gazit për t’u përgatitur për temperaturat e ulëta që e presin.

Heqja dorë nga gazi rus nuk përbën më tabu – ia kemi dalë mbanë që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë – por një mbyllje e mundshme e Ngushticës së Hormuzit kërcënon ta ndërlikojë më tej një situatë tashmë të paqëndrueshme, e cila vazhdon prej katër vitesh.

Me rritjen e faturave të energjisë dhe rënien e niveleve të rezervave, Kontinenti i Vjetër rrezikon të gjendet i papërgatitur.

Sipas gazetës “The Guardian”, Evropa po hyn në muajt e ftohtë me rezervat e gazit në nivelet më të ulëta të 13 viteve të fundit, duke nxitur atë që disa analistë e përshkruajnë si një “panik dimëror” në rritje në tregjet e energjisë.

Në javën e fundit të gushtit, kapacitetet e depozitimit të gazit në Bashkimin Evropian ishin të mbushura në masën 63% – shumë më poshtë se mesatarja prej rreth 80% e regjistruar gjatë së njëjtës periudhë në vitet e fundit dhe ndër nivelet më të ulëta të vëzhguara ndonjëherë në fund të verës.

Të dhënat nga organizata “Gas Infrastructure Europe”, tregojnë se Gjermania mbetet prapa, me nivele depozitimi pak mbi 51%, ndërsa Polonia kryeson me 90,63%. Mbretëria e Bashkuar mund të jetë veçanërisht e cenueshme; pavarësisht se është një nga konsumatorët më të mëdhenj të gazit në Evropë, ajo ka kapacitete relativisht të kufizuara vendase për depozitim.

Chris O’Shea, shefi ekzekutiv i kompanisë “Centrica” (pronare e “British Gas”), deklaroi këtë javë se vendi nuk ka “pothuajse fare gaz të depozituar” në prag të dimrit.

Ndërprerjet e mëdha në eksportet e naftës dhe gazit nga Gjiri, të shkaktuara nga konflikti që përfshin Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe Iranin, kanë rënduar ndjeshëm situatën.

Ndër faktorët kontribues ishin gjithashtu fundi veçanërisht i ftohtë i dimrit të kaluar dhe konsumi i gazit mbi mesataren për prodhimin e energjisë elektrike gjatë valëve të të nxehtit në verë.

Sipas Bjarne Schieldrop, kryeanalistit të lëndëve të para në grupin bankar nordik SEB, tregu evropian i gazit kishte mbetur relativisht i qetë gjatë gjithë verës, i mbështetur nga shpresa se Ngushtica e Hormuzit do të rihapej dhe do të mundësonte rimbushjen e rezervave.

“Tani, askush nuk pret që kjo të ndodhë, – vuri në dukje ai. – Si pasojë, në javën e fundit të gushtit, tregu evropian i gazit natyror hyri në një gjendje ‘paniku dimëror'”.

Megjithëse nuk parashikohen mungesa reale fizike të gazit, tregtarët presin kosto më të larta. Në javët e fundit, çmimi referencë evropian ka kaluar 66 euro për megavat-orë – niveli më i lartë në tre vjet dhe më shumë se dyfishi i çmimit të regjistruar në fillim të vitit 2026.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë