Nga Gazeta ‘Si’- Ergys Agasi, një prej personave të shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të dosjes së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është arrestuar ditën e sotme, 26 gusht.
Mësohet se Agasi është kapur në makinë me Uljan Shpatarakun, ish-polici i shpallur në kërkim nga policia pasi teksa ka qenë me pushime në një hotel në Dhërmi, dyshohet se ka kërcënuar me jetë kamarierin dhe administratorin, pasi nuk i kishte pëlqyer ushqimi.
Agasi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, e cila e akuzon atë, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderëve të AKSHI-t.
Sipas akuzave të SPAK, grupi dyshohet se ka përdorur edhe forma të dhunës dhe pengmarrjes për të ndikuar në procedurat e prokurimit.
Agasi dhe Beqiraj fillimisht i shpëtuan arrestimit gjatë operacionit të SPAK, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t u vendos në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ndërkohë, pak kohë më parë, edhe Ermal Beqiraj u arrestua në Francë. Ai u ndalua teksa po drejtonte një avion privat mbi një zonë të ndaluar të një centrali bërthamor.
Beqiraj apeloi vendimin për arrestimin, por autoritetet franceze rrëzuan kërkesën e tij, duke e lënë në qeli në pritje të vendimit për ekstradimin drejt Shqipërisë, të kërkuar nga SPAK.
Në kuadër të së njëjtës dosje, Agasi dhe Beqiraj akuzohen gjithashtu se, përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit, kanë detyruar biznesmenin Gerond Meçe të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë.
Sipas SPAK, në këto procedura tenderimi synohej që fituese të shpalleshin kompani të lidhura me personat nën hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje