Gazeta Si – Javën e kaluar, reperi amerikan, Kanye West njoftoi planet për të mbajtur dy koncerte më 10 dhe 11 tetor në Shën Pjetërburg të Rusisë.
Lajmi tërhoqi vëmendje të madhe, pasi shfaqjet e West-it do të shënonin performancat e para të një muzikanti të njohur perëndimor që nga pushtimi i Ukrainës prej Rusisë në vitin 2022 dhe gjithashtu, sepse West ka qenë prej kohësh një figurë tejet e diskutueshme.
Të organizuara nga agjencia “Say Agency” me bazë në Moskë, koncertet kishin shitur të gjitha biletat, me mbi 100,000 të tilla të blera.
Megjithatë, administrata e stadiumit “Gazprom Arena” në Shën Pjetërburg deklaroi tani se nuk ishte nënshkruar asnjë marrëveshje për marrjen me qira të stadiumit për ato data dhe, rrjedhimisht, “koncertet nuk mund të mbahen në ambientet tona”.
Ky është një zhvillim mjaft i çuditshëm, duke marrë parasysh se vetëm javën e kaluar koncertet po promovoheshin me entuziazëm në kanalet e rrjeteve sociale të vetë “Gazprom Arena”-s, ku Ye (emri që West përdor që nga viti 2021) përshkruhej si “artisti më me ndikim i kohës sonë”.
Një burim nga qeveria ruse i tha “Rotonda”-s, një gazetë e pavarur në Shën Pjetërburg, se aktivitetet nuk ishin miratuar nga “zyrtarë të lartë rusë”.
Sipas dy burimeve të tjera të cituara nga faqja ruse e lajmeve Fontanka, koncertet nuk arritën të merrnin “autorizimin nga të gjitha autoritetet përkatëse” dhe thuhet se u anuluan pas “një telefonate nga Moska”.
Kanye West është një nga artistët më të rëndësishëm të hip-hop-it të të gjitha kohërave; prej muajsh, ai po përpiqet të përmirësojë imazhin e tij, të dëmtuar rëndë nga deklaratat raciste, ksenofobe, seksiste dhe ato të mbushura me teori konspirative – komente që kanë lënë në hije çdo diskutim mbi muzikën e tij dhe e kanë shndërruar atë në një figurë të përçmuar dhe të izoluar në industrinë e argëtimit.
Në prill, ai publikoi Bully, albumin e tij të dymbëdhjetë në studio; ai u prit me indiferencë nga kritika dhe u publikua kryesisht për t’i hapur rrugën një rikthimi në turnetë botërore.
Megjithatë, turneu evropian ka rezultuar deri më tani pothuajse një dështim: koncertet e planifikuara në Zvicër, Poloni, Angli dhe Francë u anuluan të gjitha.
West ishte planifikuar gjithashtu të performonte më 18 korrik në festivalin “Hellwatt” – një event i madh muzikor veror në Reggio Emilia – por festivali u anulua përfundimisht pas disa javësh me njoftime kontradiktore, polemika dhe paqartësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje