Ekonomi

Turistët në Shqipëri u rritën me 17% në qershor, të huajt kryesojnë rritjen

Numri i turistëve që qëndruan në strukturat akomoduese në Shqipëri u rrit me 17% në qershor, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Edhe numri i netëve të qëndrimit u rrit me 9.8%, sipas të dhënave të INSTAT.

Rritja ishte më e madhe te turistët e huaj. Ata u shtuan me 20.6% krahasuar me qershorin 2025, ndërsa numri i vizitorëve vendas u rrit me 7%. Net-qëndrimet e të huajve u rritën me 9.2%, ndërsa ato të vendasve me 11.8%.

Në qershor, rritja e turistëve të huaj ishte më e fortë në zonat bregdetare. Numri i tyre arriti në 323,426, nga 253,867 një vit më parë, duke shënuar një rritje prej 27.4%. Në zonat jo-bregdetare, numri i vizitorëve të huaj u rrit me 5.7%, duke arritur në 122,420.

Hotelet dhe strukturat e ngjashme pritën 401,836 vizitorë të huaj, nga 336,226 në qershor 2025. Ndërsa në apartamentet për pushime dhe strukturat e tjera afatshkurtra, numri i turistëve të huaj u rrit në 39,457, nga 27,227 një vit më parë.

Edhe shfrytëzimi i hoteleve u rrit. Në qershor, 41.3% e dhomave ishin të zëna, krahasuar me 39.5% në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Kosova ishte vendi nga vinin më shumë turistë të huaj të akomoduar në Shqipëri, duke përbërë 15% të totalit. Pas saj renditeshin Italia me 14%, Polonia me 13%, ndërsa Franca dhe Gjermania me nga 7% secila. Turistët nga vendet e tjera përbënin 44% të totalit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë