Gazeta Si – Pesë persona janë arrestuar në Sarandë si të dyshuar se do të kryenin një vrasje me armë zjarri.
Arrestimet kanë ndodhur pranë një lokali në fshatin Gjashtë, ku dy prej të arrestuarve kishin zënë pritë, me armët gati në një zonë pa ndriçim.
Sipas policisë, Sidorel Moriseni, 32 vjeç, banues në Tiranë dhe Alfred Kaja, 26 vjeç, banues në Kavajë, janë kapur në flagrancë.
Tre të tjerët, Vonis Poka, 31 vjeç, banues në Tiranë, Vitrin Hoxha, 20 vjeç dhe Franko Bobja, 21 vjeç, të dy banues në Kavajë, janë vënë në pranga për moskallëzim krimi.
Të gjithë të arrestuarit janë me precedent penal në fushën e narkotikëve. Policia ka dyshime të forta se të rinjtë, kishin udhëtuar nga Tirana dhe Kavaja drejt Sarandës për të ekzekutuar një person, megjithatë, sipas burimeve, ata nuk kanë pranuar që të flasin përpara hetuesve.
Sidorel Moriseni dhe Alfred Kaja u kapën në një rrugicë pranë banesës së Rexhep Ismailit, i cili u vra në lokalin e tij në Qafë Gjashtë në maj të këtij viti. Grupi hetimor është duke verifikuar nëse ndalesa e tyre në këtë zonë është e rastësishme ose jo, pavarësisht se të arrestuarit nuk kanë dhënë deklarime.

Nga operacioni janë sekuestruar 2 pistoleta, municion, 1 silenciator dhe 2 automjete. Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin e objektivit të mundshëm dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë së dyshuar kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje