Treg

Vaji i ullirit mund të shtrenjtohet sërish për shkak të vapës dhe zjarreve

Nga Gazeta ‘Si’- Fermerët në Europë po paralajmërojnë për rënie të prodhimit ushqimor dhe rritje të çmimeve, pasi temperaturat ekstreme, thatësira dhe zjarret po dëmtojnë një gamë të gjerë kulturash bujqësore, nga misri te perimet.

Edhe ullishtet janë prekur rëndë nga vala e të nxehtit, duke rrezikuar një tjetër rritje të çmimit të vajit të ullirit, i cili tashmë ndodhet në nivele të larta.

Shoqata franceze e prodhuesve të perimeve Légumes de France tha se mijëra tonë produkte me vlerë dhjetëra milionë euro janë humbur, përfshirë sallatën, karotat, preshin, hudhrat dhe qepët. Për disa kultura, prodhimi pritet të përgjysmohet për shkak të mungesës së reshjeve.

Thatësira dhe temperaturat e larta kanë prekur edhe vreshtat në rajone të njohura të Francës si Shampanja, Bordoja dhe Burgundia, duke rrezikuar një korrje më të vogël dhe ndër më të hershmet e regjistruara. Në Shampanjë, vjelja pritet të nisë rreth 15 gushtit, rreth një muaj më herët se disa dekada më parë.

Në Spanjë, Ministria e Bujqësisë parashikon që prodhimi i drithërave në sezonin 2026-2027 të bjerë nga 24 milionë tonë vitin e kaluar në pak më shumë se 18.5 milionë tonë.

Bashkimi Europian ka ulur parashikimet për disa kultura kryesore: prodhimi i lulediellit pritet të jetë 7% më i ulët, misri për kokërr 6% më pak, ndërsa patatet dhe soja rreth 3% më pak se parashikimet e mëparshme.

Prodhuesit e vajit të ullirit presin një tjetër rritje të çmimeve këtë vit, pasi temperaturat ekstreme, thatësira dhe zjarret kanë dëmtuar ullishtet në Greqi, Itali dhe Portugali.

Përveç dëmeve direkte nga zjarret, fermerët po përballen edhe me rritje të dëmtuesve, sëmundjeve, stuhive të forta dhe ndikime në madhësinë e frutave.

Ekspertët thonë se shqetësimi kryesor nuk është mungesa e tregtisë ndërkombëtare, por rritja e kostove të prodhimit, e cila pritet të reflektohet te konsumatorët./ The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë