Ka ndodhur

Flakët shkrumbuan 400 pemë ulliri, arrestohet 54-vjeçari në Mallakastër

Gazeta Si – Një 54-vjeçar është arrestuar në Mallakastër pasi u kap pranë një vatre zjarri ku dyshohet se kishte ndezur flakët, duke shkaktuar djegien e rreth 400 pemëve të ullirit.

Ngjarja u regjistrua në zonën e quajtur “Qafa e Vidhit”, ku pas njoftimit për zjarrin shkuan menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në mbështetje të forcave zjarrfikëse dhe për kryerjen e veprimeve hetimore.

Gjatë ndërhyrjes, efektivët konstatuan pranë vatrës së zjarrit shtetasin Ardian Xhafo, 54 vjeç, banues në Ballsh, i cili dyshohet se kishte ndezur zjarrin që më pas u përhap në zonën përreth.

Si pasojë e flakëve u dëmtuan rreth 400 pemë ulliri, duke shkaktuar dëme materiale në pronën bujqësore.

Ai u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. Ndërkohë, policia u ka bërë apel qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve, pasi ato mund të sjellin pasoja të rënda për pronën dhe mjedisin.

Ndërkohë, një vatër zjarri është regjistruar mëngjesin e kësaj të marte në zonën e Rribanit, në Mallakastër.

Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore, ndërsa ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar për shkak të terrenit të thyer dhe mungesës së rrugëve të aksesueshme.

Ekipet zjarrfikëse po punojnë për izolimin dhe shuarjen e zjarrit, duke përdorur edhe mjete rrethanore, pasi automjetet zjarrfikëse nuk mund të afrohen në zonën e prekur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë