Gazeta Si – Lager, Pilsner, IPA dhe Stout. Bota e birrës ka përjetuar një hov të madh vitet e fundit, duke u ofruar adhuruesve të kësaj pijeje me aromë e shije karakteristike të theksuar të hopit një sërë recetash të reja.
Megjithatë, ajo epokë e artë duket se po zbehet: gjithnjë e më shumë njerëz po heqin dorë nga kënaqësia e një birre të ftohtë akull. Kjo ndodh, sepse prodhimi global i birrës ka rënë.
Edhe prodhimi i birrës pa alkool shënon rënie – Vitin e kaluar, prodhimi global i birrës arriti në 189,6 miliardë litra – një rënie prej 1,4 miliardë litrash (ose 0,7%) krahasuar me vitin paraardhës – sipas një analize nga “BarthHaas”, tregtari më i madh në botë i “humulus lupulus” ( bimë që njihet më së shumti si përbërës kyç në prodhimin e birrës).
Kjo shifër përfshin edhe birrën pa alkool, një kategori që ka fituar popullaritet në pjesë të caktuara të botës vitet e fundit.
Më pak birrë në të gjitha kontinentet – Pavarësisht tendencave të ndryshme në vende të veçanta, prodhimi i kësaj pijeje ka rënë në pothuajse çdo kontinent.
I vetmi përjashtim është Afrika, e cila shënoi një rritje të lehtë të vëllimit. “Konsumi i birrës po bie, veçanërisht në shumë tregje tradicionale, ndërsa po rritet rëndësia e birrave pa alkool dhe me përmbajtje të ulët alkooli”, – deklaroi Thomas Raiser, CEO i “BarthHaas”.
Në terma relativë, rënia më e theksuar u regjistrua në Australi dhe Oqeani (me 2,4%); megjithatë, prodhimi i këtij rajoni prej 1,8 miliardë litrash përbën vetëm një pjesë të vogël të vëllimit të përgjithshëm global.
Gjermania, tregu më i madh i Evropës Perëndimore, regjistroi shifra negative vitin e kaluar. Prodhimi gjerman i birrës ra me rreth 5,6%, duke zbritur në 79,24 milionë hektolitra, çka e renditi vendin në vendin e gjashtë mes prodhuesve kryesorë të birrës.
Kjo shënon herën e parë që shitjet e birrës në vend bien nën pragun e 80 milionë hektolitrave. “Jemi dëshmitarë të humbjeve në një shkallë të paprecedentë”, shpjegon Heinrich Meier, autor i raportit të “BarthHaas”.
Performanca e dobët e Gjermanisë ndikoi gjithashtu në shifrat e përgjithshme të Bashkimit Evropian, ku prodhimi total u ul me 3,1%, duke arritur në rreth 333,6 milionë hektolitra.
Edhe Polonia regjistroi një rënie; vëllimi i prodhimit të birrës atje – në nivelin 32,12 milionë hektolitra – pësoi një ulje prej 7,2 për qind krahasuar me vitin e mëparshëm.
Në pjesë të tjera të botës, rajone të tjera – të dominuara nga Kina, Shtetet e Bashkuara, Brazili, Meksika dhe Rusia – nuk po shënojnë rezultate më të mira.
Prodhimi në kontinentin amerikan ra me 0,7%, duke zbritur në 61,5 miliardë litra, si pasojë e rënies në SHBA (prodhuesi i dytë më i madh i birrës në botë), ndërsa në Azi ra me 1,2% në 58,7 miliardë litra, i ndikuar nga ulja e prodhimit në Kinë. I vetmi përjashtim është Afrika, ku prodhimi u rrit me 2,6%, duke arritur në 1,7 miliardë litra.
Pse po bie prodhimi i birrës? – Kjo rënie e prodhimit lidhet ngushtë me uljen e prodhimit global të lupulës. Sipërfaqja e kultivuar u tkurr me 5,5% – duke arritur në 52.660 hektarë – ndërsa vëllimi i të korrurave ra me 3,8%, me 109.188 tonë të regjistruara vitin e kaluar.
Megjithatë, një faktor i rëndësishëm është ndryshimi i zakoneve dhe modeleve të konsumit, të nxitura gjithnjë e më shumë nga një fokus më i madh te mirëqenia fizike.
Çfarë pritet në muajt në vijim – Për vitin aktual, 2026, “BarthHaas” parashikon se prodhimi global i birrës do të stabilizohet, por nuk pret një rimëkëmbje të konsiderueshme.
“Presim që prodhimi të mbetet kryesisht i pandryshuar, me një prirje të lehtë rënëse”, thotë Thomas Raiser, Drejtor Menaxhues i “BarthHaas”.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje