Nga Gazeta ‘Si’- Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë kanë reaguar me një deklaratë të përbashkët lidhur me zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për statusin financiar të magjistratëve.
Në deklaratë thuhet se Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 15 të datës 17 shkurt 2026, pranoi kërkesën për shfuqizimin e disa ndryshimeve ligjore që, sipas saj, cenonin statusin financiar të magjistratëve përmes një uljeje të fshehur të pagës.
Shoqatat bëjnë të ditur se Gjykata Kushtetuese i kishte lënë Kuvendit afat deri më 31 korrik 2026 për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, por sipas tyre, ky afat ka përfunduar pa ndërhyrje nga ana e parlamentit.
Sipas deklaratës, për shkak të mosveprimit të Kuvendit, nga data 1 gusht 2026 duhet të zbatohet formula e pagave e përcaktuar nga vetë Gjykata Kushtetuese, e cila i referohet pagës së funksionarit të administratës së lartë publike.
Shoqatat theksojnë gjithashtu se kjo formulë duhet të zbatohet me efekt prapaveprues për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është tashmë drejtpërdrejt i zbatueshëm”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet nga institucionet dhe zyrtarët përgjegjës respektimi i detyrimeve kushtetuese.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve deklarojnë se do të monitorojnë zbatimin e vendimit dhe shprehen të gatshme për bashkëpunim institucional për gjetjen e një zgjidhjeje në përputhje me standardet kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje