Ekonomi

Temperaturat rekord po ndryshojnë hartën e pushimeve verore në Europë

Valët e të nxehtit po i shtyjnë turistët të shmangin pushimet verore në vendet e Europës Jugore dhe të zgjedhin destinacione më në veri, tha drejtori ekzekutiv i Air France-KLM.

Ben Smith deklaroi se ndryshimi i preferencave të udhëtarëve, të cilët po largohen nga zonat e prekura nga temperaturat e larta të zgjatura, është “ndryshimi më i madh” që kompania ka vënë re javët e fundit. Kjo vjen në një kohë kur grupi ajror raportoi një rënie prej 70% të fitimit në tremujorin e dytë, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit.

“Ajo që po shohim është se gjithnjë e më shumë europianë po shmangin disa zona të Francës, Spanjës dhe vende të tjera që po përballen me vapë ekstreme ose zjarre,” tha Smith për Financial Times.

Sipas tij, ndonëse turistët amerikanë po i mbajnë planet e tyre të udhëtimit, ndryshimi më i madh po vihet re te europianët, të cilët këtë verë po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacionet në veri të kontinentit.

Gjatë javës së fundit, zjarret kanë përfshirë pjesë të Francës dhe Spanjës, ndërsa Europa është përballur me një tjetër valë të nxehti, duke detyruar evakuimin e disa zonave turistike.

Ashtu si kompanitë e tjera ajrore, edhe Air France-KLM është goditur nga rritja e çmimeve të karburantit për avionë, si pasojë e konfliktit me Iranin. Kompania franko-holandeze raportoi një fitim neto prej 190 milionë eurosh për periudhën prill-qershor, 70% më pak se një vit më parë. Megjithatë, të ardhurat u rritën me afro 10%, duke arritur në 9.3 miliardë euro.

Çmimi i karburantit për avionë u dyfishua menjëherë pas nisjes së konfliktit në shkurt, edhe pse muajt e fundit ka nisur të bjerë. Air France-KLM pret që kostoja totale e karburantit për këtë vit të arrijë në 8.9 miliardë dollarë, rreth 2 miliardë dollarë më shumë se një vit më parë. Megjithatë, kjo shifër është më e ulët se parashikimi prej 9.3 miliardë dollarësh i bërë në fund të marsit.

Grupi ka ulur gjithashtu parashikimet për zgjerimin e kapacitetit të fluturimeve gjatë këtij viti. Fluturimet ndërkontinentale pritet të rriten deri në 3%, nga 4% që ishte parashikuar më herët, ndërsa kapaciteti i fluturimeve të shkurtra dhe të mesme do të ulet me 1%. Ndërkohë, kompania low-cost Transavia pritet të rrisë kapacitetin me 8%, nga 10% që ishte planifikuar fillimisht.

“Nuk kemi anuluar asnjë linjë dhe nuk kemi nxjerrë avionë jashtë shërbimit,” tha Smith. “Thjesht kemi shfrytëzuar muajt e verës për të kryer më shumë mirëmbajtje të avionëve ose kemi shtyrë hapjen e disa destinacioneve të reja.”

Mes linjave të prekura janë edhe ato drejt Lindjes së Mesme, përfshirë fluturimet për në Riad të Arabisë Saudite, të cilat kompania i rifilloi së fundmi. Për momentin, Air France-KLM do të vazhdojë të operojë tre fluturime në javë nga Parisi, pa e rritur frekuencën siç ishte planifikuar.

Smith tha gjithashtu se kompania po shqyrton zgjerimin e destinacioneve turistike në Azinë Juglindore, jo vetëm drejt Bangkokut, por edhe drejt Phuketit në Tajlandë dhe Manilës në Filipine.

Ndërkohë, Air France-KLM njoftoi se ka paraqitur një ofertë detyruese për të blerë deri në 49.9% të aksioneve të kompanisë shtetërore portugeze TAP Air Portugal. Bëhet fjalë për fazën përfundimtare të garës me kompaninë gjermane Lufthansa për blerjen e linjës ajrore, e cila do t’i siguronte Air France-KLM një bazë në Gadishullin Iberik për fluturimet drejt Brazilit dhe vendeve të tjera të Amerikës së Jugut.

Analistët vlerësojnë se TAP ka një vlerë prej të paktën 1.5 miliardë eurosh. Edhe Lufthansa konfirmoi se ka dorëzuar ofertën e saj.

Smith nuk pranoi të komentojë vlerën e ofertës së Air France-KLM, por theksoi se kompania ka përvojë të gjatë në bashkëpunimin me aksionarë shtetërorë dhe ka arritur të ruajë identitetin dhe selinë holandeze të KLM-së.

“Ne operojmë fluturime drejt katër qyteteve në Brazil, ndërsa TAP fluturon drejt 11 qyteteve. Shumica janë destinacione të mëdha ku nuk ka mbivendosje të linjave, ndaj rrjetet tona plotësojnë njëra-tjetrën,” përfundoi ai./FT


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë