Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme ka prezantuar bilancin e punës për periudhën 1 janar-15 korrik 2026, duke bërë të ditur se hetimet financiare dhe gjurmimi i pasurive të dyshuara si produkte të veprimtarisë kriminale kanë qenë në fokus të punës së saj.
Sipas të dhënave të publikuara nga SPAK, gjatë kësaj periudhe, në pesë procedime penale të rëndësishme, gjykata ka vendosur masa sekuestroje preventive mbi pasuri me vlerë rreth 440 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhe janë vënë në hetim 5 kryetarë ose ish-kryetarë bashkie, 3 drejtues institucionesh në hetim, 3 gjyqtarë ose ish-gjyqtarë, 2 ministra ose ish-ministra dhe 1 deputet.
Pasuritë e sekuestruara përfshijnë një gamë të gjerë asetesh, mes të cilave:
-prona të paluajtshme, përfshirë tokë, truall dhe sipërfaqe pyjore me mbi 150 mijë metra katrorë;
-më shumë se 60 vila, apartamente dhe hotele;
-mbi 10 shoqëri tregtare, kuota kapitali dhe asetet e tyre;
-mbi 620 llogari bankare;
-rreth 100 automjete dhe mjete lundruese.
SPAK ka bërë gjithashtu një krahasim me vitet e mëparshme, duke theksuar se gjatë periudhës 2020-2025, vlera totale e pasurive të sekuestruara ka qenë rreth 220 milionë euro.
Sipas institucionit, rritja e ndjeshme e vlerës së pasurive të sekuestruara lidhet me intensifikimin e hetimeve financiare, analizën e burimeve të pasurisë dhe ndjekjen e aseteve që dyshohet se kanë lidhje me veprimtari kriminale.
Gjatë shtatë muajve të parë të 2026, SPAK thotë se janë dënuar me vendim të formës së prerë gjithsej 7 ish-zyrtarë të lartë, mes tyre:
-2 ish-kryetarë bashkish;
-1 ish-ministër;
-2 ish-deputetë;
-2 ish-prokurorë.
SPAK thekson se ndjekja penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-funksionarëve publikë ka qenë një ndër prioritetet kryesore të punës së saj, në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje