Gazeta Si – Gjykata e Lartë caktoi datën 15 shtator, ora 09:30, për rishqyrtimin e masës së Erion Veliajt, pas rikthimit nga Gjykata Kushtetuese.
Treshja penale që do të gjykojë kryebashkiakun e Tiranës në Gjykatën e Lartë është Sander Simoni relator dhe Valbon Çekrezi e Genti Shala anëtarë.
Sokol Binaj dhe Albana Boksi dhanë dorëheqjen nga rekursi, pasi kanë shqyrtuar kërkesa të mëparshme të Veliajt. Më herët dha dorëheqjen edhe relatori Ilir Panda.
Gjykata Kushtetuese ia riktheu Gjykatës së Lartë shqyrtimin e kërkesës së masës së Veliajt me argumentin se duhet të arsyetohet përse nuk është e përshtatshme një masë tjetër, përveç arrestit në burg.
Para dy ditësh, dy avokatë të një studioje ligjore angleze, të shoqëruar edhe nga avokati Plarent Ndreca, kanë zhvilluar një takim me Erion Veliajn në ambientet e paraburgimit të Durrësit, ku ai mbahet prej afro një viti e gjysmë, pas hetimeve të nisura ndaj tij nga SPAK.
Avokati Plarent Ndreca shpjegoi se qëllimi i këtij takimi ishte njohja e avokatëve anglezë me çështjen, ndërsa tha se janë në pritje të miratimit të një takimi edhe me avokatët amerikanë, të cilët po ashtu po asistojnë ligjërisht kryebashkiakun Veliaj.
Ndreca deklaroi gjithashtu se, ashtu siç po rifitojnë gradualisht të drejtat që, sipas tij, u janë mohuar për muaj me radhë, do të vijojnë betejën ligjore deri në fund për të provuar se hetimi i nisur ndaj kryebashkiakut të Tiranës është një farsë.
Veliaj, i cili nodhet në burg prej 10 shkurtit 2025 po gjykohet nga Gjykata e Posaçme për disa akuza, mes të cilave korrupsioni dhe pastrimi i parave. Përmes disa reagimeve publike, ai i ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se është i pafajshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje