Drejtësia

Tenderët 1 mln euro në Bashkinë Divjakë, 6 zyrtarëve u konvertohet dënimi me shërbim prove

Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë gjashtë zyrtarë të Bashkisë Divjakë, të akuzuar nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderë publikë me një vlerë totale rreth 1 milion euro.

Vendimi u dha këtë të hënë nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Erjon Bani, pas zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar. Për këtë arsye, të gjithë të pandehurve iu ul dënimi me një të tretën, nga 1 vit burg në 8 muaj burgim.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk do të vuajë dënimin në burg. Për tre prej të dënuarve, gjykata vendosi zëvendësimin e dënimit me 120 orë punë në interes publik, ndërsa për tre të tjerët urdhëroi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien në shërbim prove.

Të dënuarit janë Dorjan Spaho, Sara Xhepa (Doko), Roklejd Malko, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini. Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini janë vendosur në shërbim prove për 16 muaj dhe, përveç kësaj, u është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vjet.

Sipas SPAK, hetimi lidhet me tre procedura tenderimi të zhvilluara nga Bashkia Divjakë, me një fond total prej rreth 1 milion eurosh. Të gjashtë u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë