Gazeta Si – Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua këtë të martë seanca gjyqësore ndaj Laert Haxhiut, ku dëshmuan familjarë të viktimave të ngjarjeve për të cilat ai akuzohet.
Haxhiu paraqiti një deklaratë me shkrim, përmes të cilës njoftoi gjykatën se nuk dëshiron të marrë pjesë në procesin gjyqësor.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se pranon të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj. Gjykata bëri me dije se procesi ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.
I pari që dha dëshminë ishte Xhuliano Xhaferraj, vëllai i Fridman Xhaferrajt, i cili u paraqit në gjykatë me pranga, pasi ndodhet në paraburgim për akuzën e vjedhjes.
Ai tregoi se në kohën kur u vra i vëllai ndodhej në burg dhe u njoftua për ngjarjen vetëm pasi u shoqërua në komisariat.
“Kam qenë në burg kur u vra vëllai. Më morën në komisariat dhe më pyetën, sepse vëllain nuk po e njihnin, ngaqë ishte gjetur në ujë. Unë ato ditë mbarova dënimin. Kur dola, shkova në shtëpinë e vjehrrës, se kisha nusen atje. Gjeta policë, që po kontrollonin. Më shoqëruan. Atje më thanë që është gjetur në rezervuar në Drenovë. Kur fola njëherë me vëllain, kur isha në burg, ai më tha që do ikte jashtë shtetit, në Itali. Vëllait tjetër, të voglit, ata çunat i kishin prerë biletë dhe e kishin nisur në Greqi. Lul Spahiu e kishte marrë e çuar në Elbasan. Aty i kanë prerë biletë e pastaj Lul Spahiu dhe Kristi Bixheku ka marrë Fridmanin. Vëllai i vogël u kthye në Lushnjë e pas dy ditësh iku në Greqi. Luli dhe Bixheku i kishin thënë se bashkë me Fridmanin do iknin në Greqi e se do t’i binin nga Korça”, tha ai.
Duke folur për dyshimet që qarkullonin pas vrasjes, ai deklaroi: “E pyeta babanë e Laert Haxhiut nëse dinte gjë. Në Lushnjë flitej se vëllai kishte qenë me Laertin dhe se urdhri për vrasjen ishte dhënë prej tij, sepse kishte folur. Nuk jam i sigurt, por kështu flitej. Babai i Laertit më tha se djali i tij nuk kishte lidhje me këtë ngjarje”.
Megjithatë, Xhaferraj theksoi se personalisht nuk beson që Laert Haxhiu të jetë autor i vrasjes së vëllait të tij.
“Laert Haxhiun e njoh. Babi im me të atin e tij, Qamilin, janë rreth krushqie. I njoh edhe të ëmën. Nuk më ka vizituar në burg ndonjë nga familjarët e tij. Unë nuk jam fare që e ka bërë Laerti këtë gjë. I kam thënë edhe babait të tij, që nuk e besoj të ketë bërë gjë. Laerti e ka dashur Fridmanin, e ka mbajtur afër”, u shpreh ai.
Dëshmitari i radhës ishte Sami Bushaliu, i cili rrëfeu vrasjen e Albi Bashaliut, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2021, në Gjoçaj, Peqin.
Sipas tij, ngjarja ndodhi para lokalit të tij, disa ditë para Vitit të Ri. “Para 3-4 vjetësh ka ndodhur një vrasje para lokalit tim. Ka qenë 2-3 ditë para Vitit të Ri. Lokalin e kam para shtëpisë. Ishte mëngjes e ditë me shi. Kishte ardhur një makinë me xhama të errët e parkuar rrëzë avllisë. Më duket se ishte një “Audi” e bardhë me xhama të zinj. Më tha gruaja, që është një makinë. Mendova se është e komshiut. Kamera unë nuk kam. E pashë njëherë dhe u futa brenda. Erdhi Albi Bashaliu të pijë kafe. Doli njëri nga makina. I foli Bashaliut. Ai ktheu kokën e pastaj u dëgjuan zhurma armësh. Ishte një djalë i hollë, i gjatë. Gjuajti një herë a dy. U tronditën edhe ata që ishin në lokal. Unë dola aty. Ai personi me pistoletë në dorë më tha: “Futu brenda”. U futa. Pastaj ai i mori Bashaliut çelësat nga xhepi. Ndërsa ai që po e priste në makinë, i hodhi benzinë makinës e i vunë flakën. Shteti pastaj erdhi edhe bëri punën e vet. Më herët atij i patën vrarë vëllanë. Leonard e quanin. Ka qëndruar në Itali më shumë. Atë e vranë në një fshat tjetër. Si kohë, diçka pa u mbushur viti. Atë një fshatari jonë e vrau, një Albert Xhahysa, a nuk e di”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje