Media Galeri

Çifti francez bën plazh përballë zjarreve dramatike!

Gazeta Si – Mes imazheve të shumta të zjarreve që kanë përfshirë rajonin e Gironde-s në Francën jugperëndimore që nga e mërkura, njëri prej tyre ka tërhequr vëmendje të veçantë për shkak të fuqisë së tij shprehëse dhe ndikimit të fortë vizual.

Fotoja shfaq një burrë dhe një grua të ulur nën një çadër plazhi në plazhin Moutchic, buzë liqenit Lacanau, ndërsa në sfond duken një shtëllungë gjigante tymi dhe një qiell në ngjyrë portokalli.

Imazhi është publikuar nga media të mëdha ndërkombëtare, përfshirë “The Guardian”, “The New York Times” dhe “The Wall Street Journal” (e cila e zgjodhi atë për faqen e parë të botimit të saj të shtypur të datës 25 korrik).

Fotoja u shkrep më 24 korrik nga Maximilien Lamy i agjencisë “Agence France-Presse” – i cili nuk është as fotograf profesionist, por punon si redaktor.

Ai e realizoi foton me iPhone-in e tij ndërsa ndodhej në plazh me të bijën. “Kur mbërritëm në Moutchic, u përballëm me një skenë apokaliptike. Vura re atë çift dhe paradoksin që mishëronin: dukeshin sikur po vështronin një botë që digjej”, i tha Lamy gazetës “Le Nuovel Obs”. “Ata ishin ulur në shezlongë, por po aq lehtësisht mund të kishin qenë në divanin e tyre para televizorit”.

Kur fotoja nisi të qarkullonte në rrjetet sociale, disa përdorues e kritikuan çiftin që dukej kaq i qetë përballë një skene kaq dramatike.

Megjithatë, Lamy u bëri thirrje njerëzve të mos i gjykonin: “Ata janë me pushime, nuk janë në ndonjë rrezik të menjëhershëm dhe – në çdo rast – nuk ka asgjë tjetër që mund të bëjnë. A do të kishim vepruar ne vërtet ndryshe?”.

Për disa, fotoja solli ndër mend kopertinën e famshme të albumit Crisis? What Crisis? – albumi i katërt në studio i grupit Supertramp – e cila shfaq një burrë të ulur në shezlong mes një peizazhi të shkretë industrial.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë