Drejtësia

Gogu: Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të shëndetit mendor për të dënuarit

Nga Gazeta ‘Si’- Burgu i Shënkollit në Lezhë do të kthehet në një institucion për trajtimin e të dënuarve me probleme të shëndetit mendor.

Deklarata u bë nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu, i cili theksoi se qeveria ka një plan konkret që po e zbaton, dhe trajtimi i të dënuarve do të jetë i ngjashëm me vendet e BE.

“Një nga sfidat me të cilat do të ndeshemi dhe do të raportojmë në vijimësi do të jetë gjendja e të dënuarve, të cilët kanë vendim gjykate dhe vuajnë nga shëndeti mendor, pra janë të paaftë mendërisht, dhe megjithëse janë të dënuar duhet të trajtohen si të pamundur fizikisht.

E kam fjalën për Shënkollin, që sot është burg, por ne po punojmë, dhe kemi një plan që po e zbatojmë, dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor, atje do të trajtohen të dënuarit, ashtu siç trajtohen në çdo vend të BE-së”, tha Gogu në konferencën për mediat.

Duke u ndalur te Raporti i fundit i Sundimit të Ligjit, ai e cilësoi atë si një etapë historike që sipas tij konfirmon konsolidimin e sistemit, ndonëse theksoi nevojën për më shumë përpjekje në luftën ndaj korrupsionit dhe plotësimin e vakancave.

“Tashmë kemi hyrë në një fazë të re, ku përjetesa matet me atë që qytetari ndesh çdo ditë në organet e drejtësisë. Jemi këtu për të thënë atë se çfarë ka ndodhur, të mirat dhe të këqijat në sistem. Pak më parë u publikua raporti i Sundimit të Ligjit. Shqipëria po konsolidon reformën në drejtësi, ky është pohimi kryesor i atij raporti. Raporti e vlerëson si një etapë historike. Progresi nuk është arsye për t’u kënaqur, sepse raporti ka edhe kritika: lufta ndaj korrupsionit të fuqizohet më shumë, të plotësohen vakancat”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë